Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, lidhur me publikimin e audio-incizimeve.
Ajo ka shkruar se “incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër”.
Sipas saj, ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër.
“Të njëjtat tani janë pjesë e kallzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023. Përveç jashtëligjshmërisë së incizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar. Nuk i ka mjaftuar inçizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj “Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante”.
Sipas saj, në këtë periudhë janë publikuar dhjetëra lajme të rreme.
“Në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit. Burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK. Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj grupimit politik e institucional që unë i përkas. Lista Serbe ka 14 muaj që nuk është më pjesë e institucioneve. Deputetët e dikurshëm të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës. Ata janë gjendur në veprime të tjera kriminale duke sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e NATO-s në protestat e dhunshme që i shkaktuan në 3 komunat e veriut të vendit gjatë muajit Maj dhe Qershor”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, do të vijojnë denoncimet.
“Sipas saj, abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit. Për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet. Të njëjtët po synojnë të vijojnë me fushatat e tyre. Pavarësisht si duken fytyrat dhe emrat, le ta themi qartë cila është adresa e kësaj fushate: Serbia, regjimi i Vuçiqit dhe bandat e zgjatimet e tyre në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila./KosovaPress