Shoqata e transportit rrugor të udhëtarëve po mban mbledhje për të diskutuar për moszbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për subvencionim që është nënshkruar paraprakisht ndërmjet ministrisë së Infrastrukturës dhe Shoqatës.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj fillimisht tha se Qeveria në detyrë ka anashkaluar shoqatën.
“Jemi sektori më i dëmtuar, por për fat të keq ky dialog me Qeverinë po mbetet vetëm nën hije. Sektori ynë mbetet një ndër sektorët me numrin më të madh të të punësuarve. Ndonëse u mashtruam nga qeveria në detyrë, kemi hasur në kundërshtim të mbajtjes së premtimit të dhënë më 24 janar për ndarjen e fondeve të këtij sektori në formë subvencionimi”, tha Kurtishaj.
Me kërkesë të kryetarit të kësaj shoqate, takimi vazhdon të mbahet pa praninë e mediave.
Kurtishaj tha se pas mbledhjes do të ketë një konferencë për media dhe siç tha ai do të bëhen publike vendimet nëse do të mbahet protesta ose greva.