UBT News

​Kurti: Veprimet e aleatëve rusë po ndikojnë në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se në Kosovë, përpjekjet e aleatëve rusë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen janë të dukshme dhe intensive, duke i akuzuar të njëjtit për minimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti gjatë samitit “Open Government Partnership” në Talin të Estonisë tha se këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar.

“Mundësitë e mëdha vijnë edhe krah për krah me përgjegjësi të mëdha, çdo vend i përfaqësuar në këtë sallë dhe qytetarët e tij janë në rrezik të kërcënimeve kibernetike. Vendet që janë më në kundërshtim me regjimet e huaja autoritare e dinë se si duken direkt këto tekste. Në Kosovë, përpjekjet e aleatëve rusë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen janë të dukshme dhe intensive. Në kohë të ndjeshme kur vendi ynë është i përkushtuar ndaj procesit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në procesin demokratik të vendit pa ndërhyrje të huaja këto kërcënime kibernetike, si dezinformimi, bullizmi kibernetik dhe format e tjera janë veçanërisht të dëmshme. Kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë”, tha ai.

Ai foli edhe për rëndësinë e anëtarësimit në OGP, për çka shtoi se “na lejon të ecim përpara me demokracitë e tjera”.

“Duke qenë pjesë e organizatës Kosova vendoset në skenën ndërkombëtare si një vend i përkushtuar për të hapur parimet e qeverisë dhe për këtë arsye i sinjalizon komunitetit global se Kosova është e përkushtuar ndaj qeverisjes së mirë, praktikave dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë marrë praktikat e qeverisjes së hapur”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit theksoi se OGP luan një rol vendimtar në forcimin e parimit themelor demokratik se fati i një vendi qëndron te njerëzit e tij. 

Exit mobile version