UBT News

​Kurti: Vendimi për sanksionet i mirëseardhur, krimi e korrupsioni s’kanë vend në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka përshëndetur vendimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj rrjeteve të korrupsionit në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se vendimi për sanksionet është i mirëseardhur, i cili sipas tij tregon që krimi dhe korrupsioni nuk duhet të ketë vend, jo vetëm në vendet e BE-së, por edhe në ato vende që aspirojnë të bëhet anëtar të BE-së siç është Kosova.

“Ne e kemi mirëpritur, është një vendim shumë I mirëseardhur, i cili po tregon që krimi dhe korrupsioni nuk duhet të ketë vend, jo vetëm në vendet e BE-së, por në çdo vend që aspiron që të bëhet anëtar i BE-së si puna e Kosovës. Por, ajo çfarë duhet të bëhet në vijim, e kjo është punë e jona, është që sistemi I drejtësisë t’i përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë informacion të bollshëm, në mënyrë që ata të mos kenë vetëm sanksione nga SHBA-ja, por të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu te ne”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti ka folur edhe rreth arritjes së një marrëveshje të mundshme finale me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel. Ai ka thënë se dëshirojnë të kenë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.

Duke komentuar emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach, Kurti tha se emisarët që vijnë nga perëndimi demokratik, gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë.

“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila e definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke në qendër. Marrëveshje përveç që është e obligueshme për njohje reciproke. Emisarët që na vijnë nga perëndimi demokratik gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë”, tha Kurti.

Exit mobile version