Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bashkëbiseduar me përfaqësuesit e komunitetit goran në Kosovë, nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e Kosovës.
“Duke shprehur mirënjohje për kontributin e komunitetit goran në Kosovë, Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies së këtij komuniteti. Ai veçoi mbështetjen e dhënë përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Kjo ka përfshirë përfaqësimin e komunitetit në skemën e punës praktike në institucione gjatë gjashtë muajve të fundit, si dhe grantet që mbështesin OJQ-të në punën e tyre për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e komunitetit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Mes tjerash u bisedua për forcimin e rolit të Zyrtarëve Komunalë për Komunitete dhe Kthim. Kryeministri Kurti veçoi takimin me zyrtarët dhe përgjigjen në kërkesat e artikuluara në atë takim për trajnime dhe rrjetëzim të mëtejshëm. U fol për konferencën e organizuar në qershor për të ndarë praktikat e mira dhe një tjetër konferencë që do të zhvillohet këtë javë.
Në takim u bisedua për mundësitë dhe hapat e ardhshëm për rritje të angazhimit të përbashkët drejt krijimit të vendeve të reja të punës, zhvillimit të turizmit dhe rritjes së mirëqenies së komunitetit goran në Kosovë.