Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua sot (e mërkurë) me homologen e tij nga Estonia, Kaja Kallas, pas ceremonisë hapëse të Samitit Global të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership), organizatë kjo ndërkombëtare në të cilën Kosova u anëtarësua në muajin gusht.
Krahas anëtarësimit të Kosovës në OGP, rolin e saj në këtë organizatë dhe kontributit që synon ta japë, në këtë takim dypalësh, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat e bashkëpunimit dhe sfidat e përbashkëta që dy rajonet kanë me fqinjët autoritarë e agresivë, përkatësisht Serbinë dhe Rusinë.
Sipas komunikatës, Kurti e njoftoi homologen estoneze për situatën aktuale në vend, progresin e gjithmbarshëm, arritjen kryesore të qeverisjes dhe reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe digjitalizimit. Ai e falënderoi kryeministren Kallas për mbështetjen, bashkëpunimin dhe partneritetin e Estonisë.
Në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.