Kryeministri Albin Kurti në Ditën Memoriale të egjiptianëve, priti sot në takim profesionistë nga ky komunitet.
Në takimin e përbashkët me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u bisedua për pozitën e komunitetit egjiptian në shoqëri.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë të deritanishëm, kryeministri Kurti theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Qeverisë për përmirësimin e gjendjes socio- ekonomike të këtij komuniteti.
Kurti potencoi nismat e Qeverisë që do të ndikojnë në rritjen e mundësive për edukim dhe punësim të komunitetit egjiptian. Ai veçoi bursat për studime në Fakultet të Edukimit dhe në drejtime të tjera të studimeve, si dhe hapin e rëndësishëm drejt realizimit të kuotës për punësim në institucione, vendimin për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve.
Gjatë takimit u vlerësua puna e Qeverisë dhe u theksua impakti që ka pasur në grupe të ndryshme në Kosovë.