Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, do të varet nga rezultatet e takimit të sotëm në Bruksel. Ai tha se diskutimet për energjinë do të bëhen vetëm me Brukselin zyrtar dhe jo me palën serbe.
“Diskutimi në Bruksel do të ketë në epiqendër diskutimin e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë. Për rezultatet konkrete nuk do predikoja tani. Takimi që është paralajmëruar me presidentin e Serbisë varet nga takimi i kësaj jave dhe vullneti për progres… Fajin për mos pagesën e energjisë e kanë strukturat ilegale në veri. Licencimi i kompanisë është kompetencë e Zyrës Rregullatore të Energjisë. Ne për energjinë bisedojmë me Brukselin dhe jo me Beogradin. Nëse kjo temë ngrihet atje, ngrihet vetëm në raportin Prishtinë-Bruksel”, tha ai.
Ndërkohë që ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryezi derisa konfirmoi për takimin e sotëm, tha se temë e diskutimit do të jetë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, energjisë dhe lëvizja e lirë.