UBT News

​Kurti: S’ka vend për panik, qytetarët që kanë blerë tepër miell ta çojnë nëpër furra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar sot se ka rezerva për produkte ushqimore dhe i ka ftuar qytetarët të mos bëjnë panik.

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë blerë më tepër miell se që ju duhet, që ta dërgojnë atë nëpër furra.

“Pajtohem plotësisht, ka rezerva, dhe rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të ndihen të sigurt siç është edhe situata në vendin tonë. Para se të vij këtu, unë i takova drejtuesit e shoqatës së mullisëve, të cilët më siguruan që në Kosovë edhe për 2 muaj ka grurë që ende nuk është bluar, ndërkaq, në muajin e kaluar kanë bluar grurë dhe tash ka miell edhe për së paku 3 muaj. Pra, 3 muaj plus 2 muaj. Rrjedhimisht të gjithë qytetarët të cilët mund të kenë blerë më shumë se që iu nevojitet, i kisha inkurajuar që miellin ta dërgojnë në furrë, sepse nuk ka vend për panik”, theksoi Kurti.

Ndërsa sa i përket rritjes së çmimit të vajit ushqimor deri në 2 euro e 29 centë, ai theksoi se ka elemente të dyshimta abuzive nga tregtarët. Kurti theksoi se ajo që është e nevojshme tani, është për një inspektorat dhe mbikëqyrja e shtetit ndaj çfarëdo keqpërdoruesi e manipuluesi, që përpiqet të përfitojë nga kriza.

“Do të vizitoj në mesditë, nesër kompaninë ‘Floil’, një kompani në Kosovë për përpunimin e vajit ushqimor. Ata i përpunojnë diku 100 mijë litra në muaj dhe do të diskutojmë se cila është e ardhmja në javët dhe muajit që vijnë. Më lejoni të pajtohem me ju, që duke mos pasur mungesa ka elemente që na bëjnë të dyshojmë se përfituesit nga kriza botërore po dëshirojnë të fitojnë edhe tek ne. As një kilogram miell në Kosovë nuk përdoret që ka ardhur nga Federata Ruse ose Ukraina. Ne i dimë kapacitetet tona dhe jemi të interesuar që t’i shtojmë këto kapacitete tona. Mirëpo, nuk ka vend për panik. Është e vërtet se çmimi i grurit në bursën ndërkombëtare është rritur për shkak të luftës në Ukrainë. Tash çmimi i grurit në bursën ndërkombëtare sillet 430 euro toni, mirëpo një rritje e tillë në Kosovë nuk na godet për shkak se ne nuk jemi furnizuar prej atyre zonave të luftës”, tha ai.

Ndërsa, ministri Bujqësisë, Faton Peci ka treguar për mënyrën e subvencionimit të qytetarëve në këtë krizë dhe për programin e subvencioneve për bujqit.

Ai tha se fermerët do të subvencionohen nga 0.36 centë për një litër naftë.

“Ne nuk kemi qëndruar duar kryq karshi vështirësive të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, përkundrazi rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore iu kemi kundërpërgjigjur me rritjen enorme për bujqit dhe fermerët tanë. Përkrahja do ta jetë posaçërisht për produktet strategjike të cilat bëjnë pjesë në sigurinë kombëtarë të ushqimit, siç janë drithërat, respektivisht gruri, perimet patate, fasule, si dhe kultura pemëtarë dhe gjitha të tjerat. Vetëm në kategorinë e subvencionimit për këtë vit kemi në dispozicion rreth 50 milionë euro, ndërsa shumë shpejt hapjen e thirrjes edhe në kategorinë e granteve. Punimi i tokës përveç domosdoshmërisë në këto rrethana dhe në këtë kohë, mund të shihet edhe si veprim patriotik. Për herë që nga pas lufta fermerët tanë do të subvencionohen me naftë dhe vlera e naftës do të jetë rreth 50 milionë euro, duke kalkuluar kompensimin për litër naftë për 0.36 centë. Njëherësh me një vlerë totale prej 8 milionë euro grurin, misrin, fasulen dhe pataten do të subvencionohen inputet e plehërimit pranveror”, tha ai.

Exit mobile version