Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.
Sot kur po përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë dhe pasurive në serbi, Kurti i ka shprehur mirënjohje tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj, për t’u regjistruar çdo shqiptar.
Duke përmendur deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Kurti ka apeluar bashkësinë ndërkombëtare që të monitorojë procesin e përpunimit të të dhënave.
“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai i ka shprehur mirënjohje secilit shqiptar që duke marrë pjesë në regjistrimin në Serbi, ka dëshmuar se është aty.