UBT News

​Kurti: Serbia ka mbyllur sytë ndaj luftës në Ukrainë

Prishtina ka qenë nikoqire e Samitit të Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”, i cili po organizohet nga The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Temë e Samitit për Paqe dhe Siguri këtë vit është agresioni ushtarak rus në Ukrainë, mungesa e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në rajon e botë.

Ndërsa, në këtë Samit të radhës po marrin pjesë figura të larta politike vendore e ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në hapjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor tha po të ishte Serbia demokraci e vërtetë nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh për rajonin.

Ai shtoi se Beogradi ka mbyllur sytë karshi luftës ruse në Ukrainë, ndërsa theksoi se Kosova ka vërtetuar se është aleat i besueshëm për të gjitha shtetet demokratike duke u bashkërenduar me vendet evropiane në sanksione ndaj Rusisë.

“Po të ishte Rusia demokraci e vërtetë me shumë gjasë nuk do ta sulmonte kurrë Ukrainën dhe ngjashëm po të ishte Serbia demokraci e vërtetë jo një është me një parti ku opozita nuk ka kurrfarë gjase të fitoj nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh ndaj paqes afatgjate në rajonin tonë… Autokratët e kthejnë shpinën ndaj popullit të tyre për ta përqafuar njëri-tjetri kjo tendencë e një shfaqjeje sidomos në marrëdhëniet e ngrohta në mes të Rusisë dhe Serbisë. Serbia ende vazhdon të refuzoj bashkimin me sanksione ndaj Putinit dhe oligarkëve të pasur që ndihmojnë këtë shtet. Që nga fillimi i luftës Beogradi ka mbyllur sytë ndaj agresionit rus, krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të drejtave të njeriut”, theksoi ai.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se me qeverisjen e tij, epokës së korrupsionit në shtet dhe pandëshkueshmërisë po i vije fundi, derisa përmendi edhe aksionet policore dhe sekuestrimet në Brezovicë.

Ai theksoi se edhe Kosova po përballet me krizën energjetike dhe rritje të çmimeve, për çka fajësoi qeveritë paraprake për mosveprime.

“Epokës së korrupsionit në shtet dhe pandëshkueshmërisë po i vije fundi, progresi ekonomik është përputhur po ashtu me avancimin tonë ekonomik… Investimet e huaja direkte janë rritur me 47,6%, ndërsa të ardhurat tatimore me 34% pa ndryshuar asnjë politikë fiskale, kemi krijuar mbi 25 mijë vende të reja të punës ndërsa buxheti i këtij viti është më i madh në historinë e vendit. Prandaj, demokracia dhe progresi ekonomik shkojnë krahë për krahu… Furnizimi i energjisë që është tkurrur shumë por edhe çmimet që po rriten shpejt sidomos për mallrat esenciale për shkak të mos veprimeve dhe neglizhencës të qeverive të kaluara këto kriza po i godasin qytetarët e Kosovës më shumë se sa në vendet tjera. Për shembull në dy dekadat e fundit nuk ka pasur mungesë në burimet e reja të gjenerimit të energjisë elektrike e kombinuar në dështimet në riparimet për të mbajtur termocentralet tona aktuale dhe si pasojë Kosova është plotësisht e varur nga importi i energjisë“, u shpreh Kurti.

Ish-kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu ka lavdëruar qeverisjen aktuale të Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe rritjen ekonomike.

Papandreu theksoi nevojën e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor qoftë përmes ‘Open Balkan’ ose edhe procesit të Berlinit, pasi vlerëson se në këtë mënyrë tejkalohen konfliktet në rajon.

Ndërsa ish-kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz në Samitin e Ballkanit Perëndimor ishte shumë i ashpër karshi Bashkimit Evropian, për çka tha se Evropa duhet t’i jap përgjigje rolit që vetë Bashkimi Evropian dëshiron ta luaj.

Kryetar i Fondacionit “Friedrich Ebert Foundation në Gjermani, Martin Schulz e ka kritikuar mënyrën se si Bashkimi Evropian po i menaxhon krizat.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të përmbush zotimet e tij.

“Në këtë botë multipolare Evropa duhet t’i jap përgjigje rolit që vet Bashkimi Evropian dëshiron ta luaj dhe ka mundësi të luaj dhe kjo është qenësore dhe kjo ndoshta e përshkruan relevancën që BE duhet të ketë. Për çdo gjë që ka në tryezë është e paqartë, çkado që ka në agjendë apo trajtim Bashkimi Evropian është i paqartë, gjithmonë buron ose shtyn tutje vendimet e domosdoshme dhe kjo në sytë e mi është katastrofale sepse pjesët tjera të kësaj bote shumëpolare janë shumë më të vendosura, shumë vendimtare dhe vepruese në drejtimet e tyre dhe për mendimin tim shumë të rrezikshme… BE kurrë më shumë nuk ka pasur nevojë që të ketë një udhërrëfyes të qartë për institucionet evropiane që kanë të drejtë ta kenë këtë udhërrëfyes të mbështetur nga shtetet anëtare, megjithatë nuk ka udhërrëfyes dhe shumë pak elemente të ndonjë veprimi koherent… BE -ja po dështon në reagimin ndaj sfidave të kësaj periudhe që sot po jetojmë ”, u shpreh Schulz.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeff Hovenier u shpreh se prioriteti më i lartë i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor është shtyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike .

Ai tha se prioritetet amerikane për Ballkanin e Hapur janë për një rajon me paqe, siguri dhe prosperitet.

Duke thënë se Kosova duhet të jetë në NATO, ambasadori amerikan theksoi se SHBA-të e mbështesin Kosovën që të marrë vendin e vet në strukturat dhe kombet euroatalantike.

Diskutimet në Samitin e Ballkanit Perëndimor sot kanë vazhduar edhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Exit mobile version