Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit do të mbahet sapo të bëhet zëvendësimi i deputetëve që morën poste ekzekutive.
Ai tha se dy hapat e parë për konstituimin e institucioneve kanë përfunduar me sukses, dhe ka mbetur edhe hapi i tretë, në të cilën u shpreh i sigurt se do ta legjitimojnë Vjosa Osmanin si presidente.
“Dy hapa tejet të rëndësishëm tashmë janë përmbyllur. Hapi i parë ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe hapi i dytë ishte zgjedhja e Qeverisë së Kosovës. Ka ngelur edhe hapi i tretë, edhe atë do ta kurorëzojmë me sukses, zgjedhjen e presidentes së Republikës. Besoj që posa të bëhet zëvendësimi i deputetëve që u bënë ministra ose zëvendëskryeministra dhe iu bashkuan kabinetit qeveritar, do të mundemi të thërrasim një seancë të radhës, në të cilën padyshim dhe sigurt, atë që e votojë populli me mbi 300 mijë vota, do të mund ta legjitimojmë me votat e nevojshme në mbledhjen e kuvendit të Republikës”, tha ai.
Krahas kësaj, kryeministri Kurti tha se kanë marrë gjitha materialin qeverisës nga ish-kryeministri dhe ministrat paraprak, dhe pas shqyrtimeve dhe një analize të mirëfilltë do të dalin me qëndrime.
Ndërkohë tha se zotimet dhe qëndrimet e tyre, përfshirë marrëveshjen e Uashingtonit janë të njëjta.
“Për hollësitë e politikave ditore do të përgjigjen në një herë tjetër dhe vend tjetër së shpejti. Krejt çka mundet të them është se materialin që e kemi pranuar, unë si kryeministër dhe ministrat do ta shqyrtojmë dhe pas një analize mund të japim përgjigje meritore. Zotimet dhe qëndrimet tona ju i dini, ato në parim janë të njëjtat. Mirëpo detajet e reja bëhen pas shqyrtimeve që kanë filluar”, u shpreh ai.
Këto komente Kurti i bëri pas homazheve në varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.