UBT News

​Kurti qytetarëve serbë: Konvertoni targat në RKS, ato ilegale janë trashëgimi e Millosheviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është drejtuar qytetarëve serbë në Kosovë, për t’i njoftuar se kanë 61 ditë afat që t’i konvertojnë targat e tyre në “RKS”.

Ai përmes një videoje në gjuhën serbe u ka thënë serbëve të Kosovës se targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” janë trashëgimi e Millosheviqit dhe se janë barrë të cilën nuk duhet ta mbajnë mbi supe.

Për të njëjtat, Kurti tha se duhet të konvertohen në targa RKS, në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro.

“Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre. Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.

Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do të zhvillohet procesi i konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version