Në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti është pyetur se temat që do të diskutohen të hënën me palën serbe në takimin e Brukselit. Kurti ka thënë se e ka pranuar parimin e kërkuar nga ndërmjetësit e dialogut, që është konfidencialiteti i bisedimeve, megjithatë ai ka thënë se përmbajtjen e planit-franko gjerman e ka ndarë me kryetarët partive opozitare në vend dhe sipas tij pothuajse asgjë sot nuk është e panjohur.
Disa ditë para se të udhëtojë për takimin e radhës në Bruksel, Kurti ka thënë se plani evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtejme.
“Unë e kam pranuar parimin të cilin e kanë kërkuar ndërmjetësit apo fasilituesit evropian e ai është transparenca e procesit, konfidencialiteti i bisedimeve. Rrjedhimisht përmbajtjen tekstuale e kam ndarë me kryetarët e partive opozitare por jo edhe në Kuvend të republikës, ndonëse besoj që pas shumë muajve pothuajse asgjë nuk ka ngelur e panjohur nga ai propozim që paraqet bazën e mirë për diskutime të mëtutjeshme që fillojnë të hënën qe vjen”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se më 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema e kornizës së përgjithshme të marrëveshje çka pastaj është pasuar me propozimin evropian.
“Tash nuk është produkt i negocimit propozimi meqenëse me 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes pa pasur takime për atë temë meqenëse pala tjetër nuk ka qenë e interesuar dhe as e gatshme për këtë. Tri javë pas atij takimi vjen propozimi nuk është që ne kemi negociuar dhe është sjell propozimi, propozimi shumë më shumë ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve, nuk është që unë kam kërkuar diçka e është në atë propozim ose pala tjetër, aleatët e Republikës së Kosovës e kanë dizajnuar pra si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe i cili përmban njohjen defacdo”, ka thënë Kurti.
Rreth temave që do të diskutohen në takimin e Brukselit, ishte e interesuar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.
“Pyetja ime ishte cilat do të jenë temat që do i negocioni të hënën me Vuçiqin, sidoqoftë nëse plani franko-gjerman nuk është produkt i palëve negociuese tani, pra i juaji, atëherë ju thatë që ky është produkt i marrëveshjeve negociatave të mëhershme, pra ja keni borxh qeverive të mëhershme, këtij vendi, të kërkoni falje për të gjitha qëndrimet që i keni pasur deri më tani lidhur me marrëveshjet në Bruksel”, ka thënë ajo.