Kryeministri Albin Kurti propozoi sot në seancën plenare që takimi me veteranët e luftës të mbahet nesër, pasi sipas tij paga minimale sot nuk është rend dite. Ndërkaq opozita sërish ka bllokuar punimet e seancës plenare me kërkesë që takimi të ndodhë sot.
“Unë bëra një propozim shumë të qartë dhe të saktë, e ky është zyra ime, e cila kontakton organizatat e dala nga lufta për takim nesër. Nëse thua vetëm sot, e vetëm tash, kjo do të kishte kuptim të hënën. Të hënën ka kaluar në lexim të parë projektligji që e ka rritur pagën minimale. Pra, sot është absurde dhe së dyti, unë nuk mendoj që një deputet i opozitës, qoftë ai edhe më i miri mund të flas në emër të protestuesve. Është gabim për mua si kryeministër nëse unë legjitimoj një deputet opozitar si udhëheqës të protestuesve kur nuk është fare aty. Unë kam organizuar shumë protesta, por unë kam dal në ballë… Duhet me shpif diçka për mua për të mund me më kritikuar. Pra, pa shpifje nuk po mundesh të kritikon. Kjo tregon që ndoshta pajtohesh me mua, me vetë faktin që duhesh të më shtysh në një skaj imagjinativ, kurrë s’kam qenë as nuk do të jem. Kjo tregon që pa më çuar atje, nuk po mundesh me më kritikuar. Prandaj mos shpifni për mua”, tha ai.
Në replikë me kryeministrin, deputeti Bekë Berisha nga AAK, ka kërkuar nga kryeministri të caktohet ora për takim me veteranët.
“Kryeministër, orën tregoje kur do t’i takosh, se e evitojmë një problem të panevojshëm dhe të madh. Unë ty nuk mund të bëj asgjë tjetër, pos ai që je. Po e tregoj një rrëfim, në ‘89-ën në Mitrovicë: mijëra studentë në protestë dhe thërriste njëri “Poshtë Milosheviqi”, të gjithë theksonin “Poshtë Milosheviqi”. Tri herë thoshin poshtë, njëri, mixha i njërit këtu, që është shok me ty Albin, tri herë thoshte poshtë, ai që nuk po ia përmendi emrin. Qe ku je!”, tha Berisha.