Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.
“Në propozimin që na e kanë sjellë [më herët] zotërinjtë [kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep] Borrell dhe [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”, deklaroi ai.
Kurti ka thënë se Borrell “hoqi dorë nga ky afat” dhe nga “propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Unë jam i gatshëm të zhvilloj takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë: marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale të natyrave të ndryshme, si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën”, ka thënë Kurti.
Ai i ka bërë këto komente pas takimit që ka zhvilluar të hënën në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.
Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor.
Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit është në fuqi faza e qortimit të shoferëve.
Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS./REL