UBT News

​Kurti: Propozimi i BE-së për dialogun është shumë në favorin tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se plani i Bashkimit Evropian për dialogun nuk e ka njohjen reciproke, pasi ai nuk është marrëveshje përfundimtare, por vetëm kornizë për marrëveshje bazike. Kurti theksoi se ky propozim është në favor të Kosovës, pasi nuk e ka Asociacionin as parakusht, as në qendër të saj.

Në seancën e sotme të Kuvendit, kreu qeveritar, tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, e cila përfshinë edhe njohjen reciproke kërkon një proces të gjatë negociator.

“Është e vërtet që ka paragrafë dhe fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive. Është sërish veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje finale ligjërisht obligueshme çfarë na nevojitet neve. Por në anën tjetër duhet të kuptojmë një gjë se nuk ka pasur mundësi që të vjen nga Brukseli, Berlini, Parisi dhe të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme, pasi do shumë proces të thellë negociator, të thellë dhe gjatë. Andaj emisarët evropian nuk na kanë sjell një dokument në stilin merre ose lërë, andaj s’kanë mundur të sjellin propozimin për marrëveshje finale, por kanë sjellur propozimin për marrëveshje bazë ose le të themi për një kornizë…Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë, kjo nuk është finale”, tha ai.

Ai mes tjerash shtoi se po bëhet betejë e ashpër diplomatike nga Serbia që asociacioni të jetë në qendër të marrëveshjes ose si parakusht i saj.

“Nuk mund të përzgjedhësh një nga 33 e ta vendosësh njërën para tjetrës. Po zhvillohet një betejë e madhe politike e diplomatike. Beteja tjetër në kuadër të propozimit të BE-së, ai neni i dhjetë, që i referohet marrëveshjeve të mëhershme, me një lloj s’forcimi e insistimi të nxirret gati preambulë. E papranueshme është për ne. Te propozimi evropian, franko-gjerman, është e fundit në nenin 10. Beogradi po bën betejën ndoshta më të madhe që nenin 10, fjalinë e fundit të tij ta nxjerrë preambulë. Që Asociacioni i komunave me shumicë serbe i nënshkruar para 10 vjetëve, të jetë parakusht ose në qendër. Për ne nuk është i pranueshëm as si parakusht as qendër. Për këtë propozimi evropian është shumë në favor tonë, pasi nuk e ka as parakusht as në qendër”, tha Kurti.

Kryeministri iu tha opozitarëve se është i hapur për të diskutuar edhe më shumë gjëra për planin e BE-së për dialogun, porse nuk mund të bëjë në seancë të zakonshme.

Ai tha mund të takojë liderët e partive në çdo moment, apo të organizohet një seancë me dyer të mbyllura.

“Besoni mezi nuk presin të na akuzojnë se ne i nxorëm hollësitë. Procesi i dialogut duhet të jetë transparent por edhe konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty”, tha Kurti.

Exit mobile version