Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitin 2022-2027.
Kryeministri Kurti theksoi se ky dokument paraqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Kurti tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë.
“Ky dokument parqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore e zhvillimi shoqëror si dhe integrimi në strukturat euro-atlantike e në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar. Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë”, tha Kurti.
Ai tha se kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë që njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Republikës së Kosovës.
“Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë, e cila njeh rreziqet kërcënimet dhe sfidat për Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht paraqet mundësinë dhe vizionin për të ardhmen tonë. Kjo strategji do të prodhojë plane dhe dokumente tjera të cilat ndërlidhen me sigurinë kombëtare, me sigurinë publike, mbrojtjen dhe diplomacinë e që janë të domosdoshme për të orientuar, funksionalizuar dhe zhvilluar arkitekturën tonë të sigurisë. Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore. Ajo i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe me përfaqësuesitë e shteteve të Quint-it, por edhe të shteteve tjera mike sikurse që është konsultuar edhe me akademinë”, tha ai.
Sipas tij, në qeverisjen e tij i kanë dhënë vëmendje të veçantë institucioneve të sigurisë me politika të qarta dhe veprime konkrete karshi tyre, duke u rritur për 52 për qind buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nga 63 milionë sa ishte vitin e kaluar në rreth 102 milionë për vitin 2022.