UBT News

​Kurti premton investime të reja në shëndetësi dhe zvogëlim të listës së pritjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë përuruar funksionalizimin e rezonancës magnetike në Spitalin e Pediatrisë në QKUK. Sipas tyre, në këtë mënyrë do të shkurtohet lista e pritjes në diagnostikimin e sëmundjeve te fëmijët. Ata gjithashtu u zotuan për investime të reja në shëndetësi.

Kurti ka thënë se dëshirojnë të ketë sa më shumë decentralizim të shërbimeve mjekësore, andaj sipas tij, në vjeshtë edhe Prizreni do të bëhet me rezonancë magnetike.

“Pas funksionalizimit të rezonancës magnetike në Spitalin e Pejës, po e bëjmë këtë edhe në Spitalin e Pediatrisë në QKUK, ndërkaq në vjeshtë do të kemi edhe rezonancën magnetike në Spitalin e Prizrenit. Në njërën anë ne dëshirojmë të kemi sa më shumë decentralizim të shërbimeve gjithnjë e më cilësore, të ketë diagnostikim sa më të mirë për të gjithë pacientët dhe të ketë gjithashtu lista sa më të shkurta të pritjes për pacientët”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri Vitia ka thënë se janë duke punuar me intensitet të shtuar për t’i shkurtuar listat e pritjes dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve. Ai theksoi se në Klinikën e Neurokirurgjisë është një projekt me teknologji moderne për intervenimin e shumë rasteve.

“Është në vazhdën e punës të cilën po e bëjmë për të shkurtuar edhe listat e pritjes në njërën anë dhe tjetra për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për pacientët tanë. Paralelisht janë edhe disa projekte shumë të rëndësishme që janë duke u kryer që deri në vjeshtën e këtij viti, përveç rezonancës në Prizren që e përmendi kryeministri dhe pjesës diagnostikuese janë edhe pjesët intervenuese. Në Neurokirurgjisë tashmë është një projekt me teknologjinë më moderne për intervenimin e shumë rasteve të cilat deri tani pacientët tanë është dashur të kërkojnë ndihmë jashtë institucioneve publike shëndetësore. Është bërë lista siç kemi treguar prej 42 milionë euro investime, e cila do të adresojë investime në infrastrukturë dhe pajisje për të përmirësuar shërbimet dhe për të marrë shërbime të reja qytetarët”, ka theksuar Vitia.

Funksionalizimin e kësaj rezonance e ka mirëpritur edhe ushtruesja e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Narqize Arenliu-Hoxhaj.

“Me fillimin e punës në këtë rezonancë do të zvogëlohen listat e pritjes dhe fëmijët do të marrin shërbimin menjëherë dhe diagnostikimi do të bëhet më herët”, ka deklaruar ajo.

Rezonanca magnetike në Spitalin e Pediatrisë e ka vlerën mbi 1 milion euro dhe është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Exit mobile version