Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim delegacionin parlamentar nga Portugalia të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, sidomos përmes pranisë së trupave në kuadër të KFOR-it.
Kurti foli për rolin e rëndësishëm që Portugalia mund të luajë në raport me vendet mos-njohëse, me theks te Spanja dhe Brazili, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.
Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Portugali, kryeministri Kurti bëri ftesë për rritje të shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe ekonomike teksa e njoftoi delegacionin me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë të vendit si dhe mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj.
Duke folur në emër të delegacionit, deputeti nga radhët e Partisë Socialiste e cila drejton Qeverinë e Portugalisë nga viti 2015, Sergio Sousa Pinto tha se së bashku me deputetin de Sa, që vjen nga radhët e Partisë Social Demokrate, përfaqësojnë konsensusin nacional të Portugalisë sa i përket rajonit.
Si vend mik dhe aleat i Kosovës, ai konfirmoi mbështetjen e Portugalisë drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike, BE dhe NATO. Në takim u tha se Portugalia gjithashtu mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën pa kushte të reja.
Në takim u shkëmbyen këndvështrime në lidhje me luftën në Ukrainë, për të cilën ndanë qëndrime të njëjta duke e cilësuar atë si akt agresioni të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj popullit dhe shtetit të Ukrainës.
Kurti e njoftoi delegacionin portugez për vendimet e Qeverisë në ngritjen e sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me sanksionet e BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe për programin për akomodimin e 20 gazetarëve ukrainas, duke thënë se solidariteti ndaj Ukrainës duhet të vazhdojë.