Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në Greqi ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë. Po ashtu, ai shtoi se është e domosdoshme njohja reciproke dhe të drejtat e pakicave sipas konventave evropiane. Para mbledhjes së qeverisë, ai shtoi se de-eskalimi në katër komunat në veri të vendit ka ndodhur dhe se Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratislavës.
Në darkën e përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor, presidenten e Komisionit Evropian dhe të Këshillit Evropian, Kurti tha se theksoi se të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë.
“Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenskyy ishte pjesëmarrës në këtë takim me Ballkanin Perëndimor me ç’rast edhe nxorëm një deklaratë të përbashkët. Kjo deklaratë mes tjerash bën thirrje për mbështetje të palëkundur për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve. Ndërkaq në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë. Që të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e evropiane është e domosdoshme njohja reciproke, de-jure, e de-facto si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane”, tha Kurti.
Veç tjerash, Kurti në adresimin e tij shtoi se në takimet bilaterale me kryeministrin e Greqisë, presidenten e Komisionit Evropian dhe kryeministrin e Kroacisë ka theksuar edhe progresion ekonomik dhe demokratik të Kosovës.
“Theksova progresin ekonomik e demokratik të Kosovës, si dhe rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë. De-eskalimi në katër komunat në veri të vendit praktikisht ka ndodhur, ndërkohë që Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratisllavës. Në prag të Samitit të Berlinit në Tiranë në këtë tetor, takimi në Athinë me pjesëmarrjen e presidentit Zelensky i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Për Kosovën, pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë në pallatin Maximos përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Greqisë”, shtoi Kurti.
Në takimet bilaterale dhe darkën e përbashkët, shefi i ekzekutivit tha se u përmend edhe de-eskalimi në veri, ku sipas tij është rezultat i arrestimit të elementëve të dhunshëm.
“Po ashtu theksova se de-eskalimi në katër komunat në veri është rezultat në njërën anë i arrestimit të elementëve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, si dhe në anën tjetër i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi. Kanë kaluar dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz, e edhe më gjatë prej kur ka pasur protesta të dhunshme. Tani duhet parandaluar ri-eskalimi. Kur s’ka protesta të dhunshme të planifikuara, të organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës. Kosova është gjithashtu duke zbatuar me përpikëri dakordimin e arritur në Bratislavë me 10 korrik të këtij viti”, përfundoi Kurti.
Shefi i ekzekutivit para ministrave u shpreh se në qytetin e Akropolit dhe Partenonit kanë bërë thirrje kundër agresionit dhe luftës për paqe dhe për drejtësi e Evropë të bashkuar.