Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përplasur ashpër me deputetët e opozitës, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Pasi deklaroi se pranon Asociacionin, por me gjashtë kushte, opozitarët e quajtën Kurtin mashtrues, teksa kritikuan atë për ndryshim të qëndrimeve. Mirëpo, Kurti pyeti të njëjtin se cilin kusht të tij do ta largonin, ndërsa nënvizoi se ish paraardhësit e tij e kanë shkelur Kushtetutën 22 herë për Asociacionin.
“Sa i përket 22 pikave të Gjykatës Kushtetuese, ato tregojnë që ish kryetari i juaj dhe kryetari i nderit e ka shkelur 22 herë Kushtetutën. Ato tregojnë numrin e shkeljeve të Kushtetutës nga ish kryetar i juaj dhe kryetari i nderit të subjektit të juaj. Ndërkaq, këto gjashtë kushtet që i vendosa unë janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik universal dhe evropian të qeverisjes dhe politikë bërjes. Vetëm pas njohjes reciproke mund të zbatohet asociacioni që s’mundet të ketë emrin mono etnik, që s’mundet të ketë pushtet publik dhe vetëm pas çarmatosjes, dorëzimit të armeve ilegale në veri dhe shuarjes së strukturave atje”, tha ai.
Kreut qeveritar i reagoi me tonë të ashpër, kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, i cili i tha se kushtet e Kurtit për Asociacioni adresohet në 22 udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese.
Njërin prej tyre e theksoi, duke thënë se çarmatosja e veriut është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës, jo e dialogut.
“Albin a je i vetëdijshëm se je kryeministër edhe i veriut të Kosovës. Heqja e armëve atje është përgjegjësi kushtetuese e jotja dhe organeve të rendit në Kosovë. Nuk është çështje e dialogut me Serbinë… Jo gjashtë por 22 udhëzime i ki prej Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha i ke me një vend, i thonë respektim i rendit kushtetues të Kosovës. Nuk ka polarizim më të madh në dy tri fjali të tua se sot. Një herë thua do të impelmentojë marrëveshjen 2013, pastaj asociacioni të sharrit, Bjeshkëve të Nemura. A je i vetëdijshëm çka po flet, sikur me i pas dy pole të mendimeve me dy vend. A je mirë?”, tha ai.
Por, kryeministri Kurti i kërkoi deputetit Abdixhiku që të ruaj qetësinë dhe racionalitetin.
Në anën tjetër e bëri një krahasim mes Abdixhikut dhe deputetit tjetër të LDK-së, Avdullah Hoti, të cilët i kishte vartës në Qeverinë Kurti I, me zëvendëskryeministrin aktual Besnik Bilsimi dhe ministrin e Financave, Hekruan Murati.
“Ju lutem të ruani qetësinë dhe racionalitetin. Qetësi dhe racionalitet. Ato 22 udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese tregojnë sa herë kryetari juaj e ka shkelur Kushtetutën, profesori do të thoshin disa, edhe unë. E dyta, edhe unë ju falënderojë që i dëgjuan gjashtë kushtet dhe nuk dhanë mendime për heqjen e ndonjërit, me përjashtim të zotëri Abdixhiku, i cili nuk po e kuptoj a po thotë të hymë me forcë në veri, apo e sugjeron këtë gjë. Unë deputetin Abdixhiku e kam pasur ministër dhe deputetin Hoti që s’qenka këtu e kam pasur zëvendës. Por me ju tregu diçka për këtë aspekt, zëvendësi Bislimi dhe ministri Murati, cilido prej tyre, këta dy bashkë nuk janë as çereku i tyre. I njoh mirë, shumë mirë, kam pas edhe ministrin e Brendshëm nga radhët e LDK-së për një periudhë të shkurtë. S’kanë pasur këso idesh, këtyre idetë iu dirigjon karriga. Bëhet fjalë për deputetë dhe ish ministra që mendimet iu dirigjojnë karrigat ku ulen dhe jo bindjet që i kanë ose më mirë të them s’i kanë”, tha ai.
Kurtit iu kundërpërgjigj deputeti tjetër i LDK-së, Agim Veliu, i cili ishte ministër i Brendshëm nën qeverisjen e Kurtit, ku tha se ai është i paguximshëm dhe mashtrues.
“Ky e dinë shumë mirë se mua mendja nuk më ka shkuar me bërë budallakina të tilla sikur ky po bën tash. Por unë kam punuar për integrim të veriut përnime. Ky e dinë shumë mirë se unë kam ofruar këtij të ndërmarrin aksione të ndryshme në veri, por ky s’ka pasur guxim”, deklaroi Veliu.
Në diskutim e sipër, kreu qeveritar pyeti deputetët se a është ndonjë prej tyre që dëshiron t’i heq kushtet për Asociacionin.
“Më tregoni ju mua si deputetë të Republikës së Kosovës, a ka ndonjë prej këtyre gjashtë kushteve që doni ta largoni”, pyeti ai.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i tha Kurtit se këso pyetje nuk duhet të shtrojë, por duhet të tregojë pse ndryshoi qëndrimin për Asociacionin.
“Kryeministër nuk shtrohet pyetja kush i heq kushtet. Ne pyetjet po i shtrojmë për ndryshimin e qëndrimit tënd në raport me bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Tash një etnike ose mono etnike janë të interpretueshme, pasi ai të thotë po, pasi ka edhe qytetarë shqiptarë që banojnë atje, pasi është bashkësisë e komunave ku jetojnë serbë dhe shqiptarë. Pra në pyetje është ndryshimi yt dhe qëndrimi që dallon me Albin Kurti deri para një dite. Sot e ke shti Kosovën në një momentum të ri me themelimin e Zajedincës. Ku ke me përfundu, ta shohim. Por kjo tregon se ti lehtësisht tërheqësh edhe prej njohjes”, theksoi ai.
Por kryeministri Kurti tha se ndryshimin e tij e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e përgjithshme në zgjedhjet e vitit 2025.
“Ndryshimin tim e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e vitit 2025. Por ndërkohë, unë ju falënderojë që kur e morët fjalën nuk e thatë asnjërin prej kushteve që mendoni të heqni”, tha ai.
Ndaj Kurtit reagoi sërish një deputet i LDK-së, i cili e quajti mashtrues dhe kërkoi nga ai të raportojë në Kuvend për dialogun.
“Kryeministër je duke mashtruar. Qëndrimi i platformës politike dhe institucionale të Kosovës ka qenë, marrëveshje finale, ligjërisht obligueshme me njohje reciproke, pastaj asociacioni. Ajo çka je duke thënë ti këtu, po kallëzon bipolaritetin tënd emocional dhe psikologjik”, tha ai.
Kurti u shpreh i gatshëm të raportojë, por kërkojë nga Kuvendi që të ndërmerr iniciativën.
“Është shumë e rëndësishme që ju të ndërmerrni iniciativën dhe mund të diskutojmë. E kemi pasur deputetin Hoxhaj që pat kërkuar mbledhje edhe me dyer të mbyllura, por unë si kryeministër nuk do të kisha kërkuar mbledhje me dyer të mbyllura. Prandaj është e rëndësishme që nëse ka kaq shumë etje dhe uri për diskutim le ta bëjmë me kërkesë të Kuvendit të Republikës”, tha ai.
Në anën tjetër, duke parë diskutimet në Kuvend, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Kurti paska aftësi për spektakël dhe humor, andaj e ftoj atë që të shkojë në spektaklin “Big Brother”.
“Ajo çka bëri sot zotëri Kurti ishte një spektakël dhe humor duke u tallur edhe me deputetët dhe qytetarët. Andaj zotëri Kurti duke pa që paske aftësi që me bo spektakël dhe humor ju kisha ftuar me shku në Big Brother”, tha ajo.