Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur rreth veprimeve që janë ndërmarrë për dy personat që kishte publikuar se po marrin pjesë në bllokimin e vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak gjatë zbatimit të reciprocitetit në targa.
Ai duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, tha se pushteti gjyqësor është i pavarur dhe pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhyjë në punën e gjyqësorit. Megjithatë, tha se sipas informacioneve që posedon, Prokuroria Speciale është duke hetuar rastin dhe pas kompletimit të procedurave do të veprojë sipas dispozitave ligjore.
“Në këtë fazë janë ende duke u zhvilluar procedurat e hetimit dhe pas kompletimit të tyre, Prokuroria Speciale do të veprojë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi për të sjellë drejtësi”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se pse nuk ka ndodhur arrestimi përderisa të dy kanë qenë përballë Policisë gjatë kohës kur ka ndodhur bllokimi i rrugëve.
“Po flasim për kriminel në vendin e ngjarjes, përballë Policisë dhe të njëjtit as nuk janë proceduar, as nuk janë shpallur në ndjekje, as janë arrestuar aty për aty. Meqenëse veç u dërgua a janë analizuar paraprakisht indikacionet se para zbatimit të vendimit për reciprocitet duhet të dërgohet njësia speciale dhe e dyta, a është përmbushur kjo detyrë në veri veçse janë dërguar forcat atje”, tha ai.
Në përgjigjen e tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Policia ka bërë vlerësimet e veta të sigurisë dhe se po bëhet krejt çka mundet për këtë rast.
“Policia e Kosovës në përgjithësi nga marsi i vitit 2021 deri më 15 nëntor 2021 ka shkatërruar 40 grupe kriminale me 257 persona të dyshuar, prej tyre pesë grupe kanë vepruar në nivel ndërkombëtar, dy në nivel rajonal dhe 33 grupe kanë vepruar në nivel vendi. Në kuadër të departamentit për hetime për periudhën 1 mars deri 15 nëntor sivjet është punuar gjithsej në 1 mijë e 191 raste, prej të cilave 975 raste të reja dhe 216 raste të bartura të hetimit të rënda, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Po ua ndaj se si janë sipas kategorive, krim i organizuar krime kibernetike 43 raste, krime me narkotikët 507, krime të trafikimit me qenie njerëzore 101 raste, krime ekonomike dhe të korrupsionit 214 raste, raste të krimeve të rënda 108 dhe raste që kanë të bëjnë me terrorizëm 8”, tha ai.
Ai gjithashtu bëri të ditur se sot janë arrestuar dy të dyshuar për plaçkitjen e një argjendarie në qytetin e Prizrenit, ku kishin mbetur të plagosur dy persona.