Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe sot për rastin e vrasjes së shtatzënës në oborrin e QKUK-së mbrëmjen e së mërkurës. Ai ka thënë se dhuna në familje në vendin tonë është më e përhapur se që paramendohet.
Kurti ka shtuar se Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.
“Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë. Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjell familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”, ka shkruar ai.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se kur vritet gruaja veçse është bërë vonë. Për fund Kurti ka dhënë një porosi.
“Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal ‘nderi burrëror – gruaja shërbëtore’. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vjen nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrenë zërin kundër burrave që ngrenë dorë mbi gruan. Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.