Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se si subjekt socialdemokrat kanë qenë afër sindikatave, por që u shpreh se as sot e as dikur krerët e sindikatave nuk kanë qenë të njëjtë.
Ai tha se ka pasur sindikalistë që gjatë procesit të privatizimit janë rrahur brutalisht, por që kanë mbrojtur ndërmarrjet, punëtorët, derisa tha se ka sindikalistë që në vitin 2017 në mes të fushatës zgjedhore kanë bërë memorandum bashkëpunimi me PAN-in.
“Në njërën anë kemi pasur sindikalistë që i kanë mbrojtur ndërmarrjet, i kanë mbrojtur vendet e punës, i kanë mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për atë gjë janë rrahur nga grupet e caktuar që kanë qenë në anën e privatizimit të egër dhe abuziv dhe këto po që janë elemente fashiste. Rrahja e sindikalistëve përgjatë privatizimit neoliberal është dukuri me elemente fashiste që nuk ka ndodhë vetëm te ne. Në anën tjetër keni sindikalistë të cilët në fillim të qershorit të vitit 2017, midis fushatës zgjedhore patën bërë memorandum bashkëpunimi me PAN-in, pra nuk mund t’i fusim të gjithë kryesindikalistët e degëve të ndryshme në të njëjtin thes. Kemi pasur të tillë që kanë qenë punëtorë e kryepunëtor dhe i kanë mbrojtur punëtorët e ndërmarrjet dhe kemi pasur të tillë që kanë qenë elemente të pushtetit në radhët e punëtorëve. Gabim më të madh se sa të flasësh e t’i trajtosh njësoj këta nuk ka”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se sikurse në skenën politike në Kosovë që ka nevojë për ndryshime, ato duhet edhe në shumë sektor të tjerë. Gjendjen e keqe në arsim e në shëndetësi, Kurti i bëri fajtor edhe sindikatat.
“Sikurse në skenën politike në Kosovë që ka pasur nevojë për ndryshime, në shumë sektor të shoqërisë ka nevojë për ndryshime. Ta zëmë, gjendja e rëndë në arsim edhe në shëndetësi nuk është vetëm pasojë e aparteidit të viteve 90, nuk është vetëm pasojë e luftës, nuk është vetëm pasojë e keqqeverisjeve të mëhershme, por të pafajshme nuk janë as disa kryesindikalistë. Pra, edhe ata të cilët nuk flasin për të drejtat e punëtorëve, për kushtet e punës, qysh në shumë shkolla tona për dy dekada nuk ka pasur as sapun, e në anën tjetër vetëm të vijnë në shprehje me kërkesa për rritje të pagave, natyrisht që duhet t’i bëhet kritikë edhe atyre”, tha ai.
Atij i ka reaguar deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila tha se është pikërisht kryeministri Kurti që sa ka qenë në opozitë është takuar me këto sindikata dhe iu ka premtuar përkrahje.
“Jeni zotuar se do t’i përkrahni sa keni qenë në opozitë dhe ndryshimi i kursit për mua është i befasishëm. Sa i përket aspektit se si sindikata duhet t’i trajtojnë çështjet e brendshme dhe t’i adresojnë ato besoj që janë çështje të debateve të tjera, sepse unë vet i përkas një sindikate të tillë të arsimit dhe besoj që ka diskutim tjetër për atë çështje… Rritjet enorme të çmimeve jo vetëm e prekin aspektin e sindikatave apo punëtorët në sektorin publik por të gjithë pa dallim, megjithëse më së shumti ndjehet tek ata sepse pagat në këtë sektor nuk janë rritur që nga 2016”, tha ajo.
Sërish i ka reaguar kryeministri Kurti, i cili tha se rritja e pagave nuk duhet të jetë as ndjekje e rritjes ekonomike, por duhet të jetë ndjekje e rritjes së produktivitetit brenda rritjes ekonomike.