UBT News

​Kurti për shtrenjtimin e energjisë elektrike: S’ka zgjidhje të lehtë pasi kriza është e rëndë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim të energjisë elektrike. Në seancën e sotme plenare, ku po debatohet për energjinë, kreu qeveritar tha se nuk ka zgjidhje të lehta, pasi kriza është e rëndë dhe e thellë.

Ai opozitarëve iu drejtua se mund të fantazojnë, pasi kjo nuk është ilegale, por qeveria ka vetëm tri mundësi, shtrenjtimi i energjisë, subvencionimin ose reduktimet.

“Ka rënë importi përgjysmë për shkak të rikthimit të bllokut B2. Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe optimale, pasi kriza është e rëndë dhe e thellë. Unë nuk jam për shkyçejë të konsumatorëve, jo për shkak se atakon mirëqenien e qytetarëve, por edhe për shkak se me trafo të amortizuar dhe rrjetin e shpërndarjes së lodhur dhe pajisjet në amvisëri, do të paguanim një kosto më të lartë. Çdo shkyçje dhe kyçje po ka pasoja, prandaj unë nuk jam për reduktime të energjisë. Por nëse jemi që mos të kemi reduktime, atëherë duhet të kuptojmë se duhet të kemi ose subvencionim nga shteti ose shtrenjtim të energjisë ose kombinim të këtyre dyjave për të gjetur një mes të artë. Pasi jemi në një situatë ku s’ka zgjidhje të mirë. S’ka mundësi të tjera, me pikun 1.34 gigavat nuk ka mundësi të tjera të nderuar deputetë. Jam i interesuar për ide kreative, por të kërkosh që as mos të shtrenjtohet energjia elektrike, as mos të subvencionoj shteti 75 milionë euro, as mos të shkyçen konsumatorët, është e pamundur. Fizikisht, logjikisht është e pamundur. Unë e di që nuk ka dëshira ilegale, qytetarët kanë fantazi, mund të fantazojmë çka të duam. Mirëpo nuk është e mundshme as mos të shtrenjtohet, as subvencionojmë dhe as mos të ketë shkyçje”, tha ai.

Kurti deputetëve iu tregoi edhe në çfarë mase duhet t’i adresohet gishti qeverisë së tij për shtrenjtimin e energjisë.

“Në çfarë mase duhet t’i adresohet gishti qeverisë. Sikur tregu mos të ishte i rregulluar, vetë operatori do ti kishte shumëfishuar çmimet që nga muaji gusht dhe pastaj do të kishte qenë në duart e konsumatorëve të thonë se a duan import apo jo. Të thuash se ne kemi votuar për këtë qeveri dhe duam të konsumojmë energji me çmim astronomik dhe nuk duhet të kemi reduktime dhe nuk duam të paguajmë dhe duhet që Kurti të gjejë zgjidhje është njësoj sikur të kërkohet nga unë që të mbajë ditë gjatë 24 orëve dhe mos të lejoj të bie natën”, deklaroi ai.

Duke arsyetuar shtrenjtimin e energjisë, Kurti tha se aq lirë ka qenë energjia në katër vitet e fundit, sa qytetarët nuk e kanë ditur as sa po paguajnë.

“Kurrë s’ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës se sa këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur sa paguajnë. Në historinë e Kosovës numër më të madh të qytetarëve nuk ka pasur ndonjë herë. Nuk po them se janë shumica të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur ndonjë herë”, tha ai.

Ai tha se dy problemet kryesore të dekadës së fundit lidhur me energjinë elektrike, ka qenë privatizimi i KEDS-it dhe heqja e bllok tarifave në vitin 2017.

Exit mobile version