Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi sot që të flasë lidhur me gjetjen apo jo të një pjese të mostrave të Astrit Deharit, të cilat janë zhdukur në dhjetor të vitit të kaluar nga Laboratori i Toksikologjisë.
Kurti tha se përgjigje më adekuate për këtë çështje mund të japë Ministria e Drejtësisë.
“Më besoni, ministria e Drejtësisë duhet të japë përgjigje adekuate për këtë”, tha Kurti.
Por pasditen e sotme ishte vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se çdo pyetje duhet t’ia adresojnë Prokurorisë Speciale, e cila është kompetente për këtë rast. Sipas saj, si Ministri e Drejtësisë janë përgjigjur disa herë në pyetjet e adresuara për këtë çështje.
“Ministria e Drejtësisë, është përgjigjur tashmë, disa herë, sa herë që jemi pyetur. Ju lutem të drejtoheni në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, siç e dini Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke e hetuar këtë rast. Personi apo autoriteti kompetent është Prokuroria Speciale. Ne kemi dhënë përgjigje për gjithçka çfarë kanë pyetur mediat, nuk mund të flasim më shumë sesa që kemi thënë, pra është në duart e Prokurorisë Speciale”, tha ajo.
Ditë më parë është raportuar se janë gjetur një pjesë e mostrave të zhdukura të Deharit. Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren