UBT News

​Kurti për martesat mes gjinisë së njëjtë: Gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kodi Civil nuk rregullon martesat ndërmjet personave me gjini të njëjtë, por mundëson vetëm bashkëjetesën. Ai në seancën plenare ku po shqyrtohet projekt-kodi civil, theksoi se të drejtat e njeriut janë të të gjithë njerëzve dhe njëjtë e thotë edhe Kushtetuta dhe se votimi i Kodit Civil është një ngjarje e veçantë për Kosovën dhe Kuvendin.

“Është një pikë me rëndësi për të cilën ka pasur keqkuptime e keqinterpretime. E kjo është regjistrimi i bashkësive civile të personave me seks të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve të secilit njeri, të secilit person, sepse gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta jonë dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Te regjistrimi i bashkësive të personave me sekse të njëjta, në nenin 1,138 është paraparë mundësia që këta persona të mund të regjistrohen si bashkësi civile. Kodi nuk e ka rregulluar, kushtet dhe procedurën për këtë institut të ri, por vetëm në mënyrë afirmative ka përcaktuar që në të ardhmen do të rregullohet me ligj të veçantë”, ka thënë Kurti.

Sa i përket kësaj, Kurti shtoi se kodi civil nuk është i mjaftueshëm dhe kjo është në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi.


“Kodi nuk rregullon martesat ndërmjet personave me seks të njëjtë. Kjo dallon me bashkësinë e regjistruar civile ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera të funksionit familjar”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Kodi Civil ka gjithsej pesë libra, me 1 mijë e 630 nene ku në të gjitha këto ka të reja substanciale.

Exit mobile version