Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me emisarët evropianë dhe amerikanë, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ka thënë se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ndaj gazetarëve.
Në komunikatën e zyrës së kryeministrit, bëhet e ditur se në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të marrëveshjes bazike e aneksit të zbatimit.
Po aty thuhet se Kurti ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.
“Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, ka thënë Kurti sipas komunikatës.
Bëhet e ditur se kreu i ekzekutivit ka shprehur gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve.
Ndërsa dy emisarët, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, në takimin e së hënës kanë thënë se i kanë paraqitur Kurtit propozimin me tri elemente, për të cilat janë shprehur se presin që të zbatohen.