UBT News

​Kurti: Pagën minimale do ta bëjmë 264 euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pagën minimale nga 170 euro sa është tani, tash e një dekadë duan ta bëjnë 264 euro, por për këtë duhet të pajtohen në Këshillin Ekonomiko-Social.

Kurti këto komente i bëri gjatë vizitës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa”, në Prishtinë, të cilën e vizitoi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down. Kurti aty mori një pyetje edhe nga një nxënës i kësaj shkolle lidhur me pagat e vogla që kanë familjarët e personave me Sindromës Down. Kryeministri tha se duan ta ngrisin pagën minimale, por nevojitet pajtim në Këshillin Ekonomiko-Social.

“Sa i përket pagës minimale, ne kemi thënë që atë do ta rrisim nga 130 përkatësisht 170 euro sa është tani, tash e një dekadë ta bëjmë 250 euro, por në fakt ne do ta bëjmë 264 euro. Por, për këtë duhet të merremi vesh në Këshillin Ekonomiko-Social”, u shpreh Kurti.

Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Arberie Nagavci në vizitojë këtë shkollë, ku ora e parë iu kushtua sindromës Down. Ai tha se si shoqëri dhe si shtet e kemi për detyrë dhe obligim që t’iu ndihmojmë këtyre fëmijëve që t’i kenë mundësinë dhe qasjen e barabartë sikurse të tjerët.

“Është edhe Dita Ndërkombëtare e personave me Sindromin Down, që është marrëveshje e jona shoqërore të përkujdesemi në mënyrë të veçantë për këta njerëz të veçantë, e që sërish lidhet me një fakt të dhënë natyror që nuk e ndryshojmë dot. Pra, persona me aftësi të kufizuar, që kanë lindur të tillë, por ne si shoqëri e si shtet e kemi për detyrë dhe obligim që t’iu ndihmojmë ashtu që t’i kenë mundësinë dhe qasjen e barabartë sikurse të tjerët, në kuadër të një ambienti gjithëpërfshirës dhe gjithashtu pa diskriminim e pa stigmatizim”, tha Kurti.

Ai tha se në një takimin që kishte mbajtur sot ka biseduar për mundësitë e organizimit të trajnimeve dhe punësime për personat me sindromën Down.

“Ne kishim sot një takim me organizatën e cila i ndihmon të gjithë fëmijët me sindromën Down, dhe biseduam edhe për mundësit që të kemi trajnime e punësime për personat me sindromën Down. Por, gjithashtu edhe 100 asistentë shtesë, si dhe kurse të veçanta për prindërit me qenë se nuk mjafton që këta fëmijë të jenë të mirëpritur në shkolla dhe institucione publike, por duhet që atyre t’iu ndihmojmë edhe në familjet ku janë”, tha Kurti.

Kjo ditë është shënuar edhe me aktivitete të ndryshme në Kosovë.

Exit mobile version