Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se nuk është në dijeni që Bashkimi Evropian ka vërejtje për dy nga gjashtë kushtet e vendosura nga ai për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse një gjë të tillë e ka deklaruar ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Kreu i ekzekutivit tha se kushtet e tij sigurojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Duhet ta takoj dhe të bisedoj me të dhe ta pyes për komunikimin që ka pasur me vendet e BE-së, ato gjashtë kushte janë të tilla të cilët mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos jetë monoetnik”, tha ai.
I pyetur se a ka pësuar ndryshime drafti i plani i BE-së, shefi i ekzekutivit nuk preferoi të flas për detaje.
“Kam dhënë vërejtjet dhe komentet e mia dhe nuk është e përshtatshme të flas për hollësitë e detajet por ajo që mund të konfirmoj është që ne e kemi konsideruar se ky propozim është i pranueshëm në kuptimin se është bazë e mirë për diskutim”, tha ai.
Ai përsëriti se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa pasur njohje reciproke, derisa theksoi se ShBA-ja vazhdon të jetë partner kryesor i Kosovës.