Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i vështirë por duhet zbatuar marrëveshja bazë e arritur gjatë këtij viti në Bruksel dhe Ohër. Ai ka folur në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
Në panel edhe me liderë tjerë të Ballkanit Perëndimor, duke iu kundërpërgjigjur homologes së tij nga Serbia, Ana Bërnabiq, tha se Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për dallim nga Serbia e cila as nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe as nga Putini.
“Mbështetjen ndaj BE-së ne në Kosovë e kemi 94 për qind. Ne kemi vënë sanksione kundër Federatës Ruse, ndërsa Serbia jo, as nuk e mendon. Po ashtu nuk e distancuan vetën e tyre as nga Millosheviqi dhe as nga Putini. Prandaj nuk është e thjeshtë për ne, unë dua të normalizoj marrëdhëniet dhe kur e bëjë këtë sikur të ishte Republika Çeke. Por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodh sepse duhet të zbatojmë traktatin bazë që presidenti i Serbisë dhe unë ishim dakord në Bruksel. Por normalizimi nga ana psikologjike do të thotë mungesë të konfuzionit midis realitetit dhe fantazisë. Ky është një regjistër tjetër që unë nuk mund të kontribuojë fatkeqësisht”, tha Kurti.
Ai foli edhe për situatën në veri derisa nënvizoi nevojën për depërshkallëzimin e plotë të situatës.
“Neve na duhet depërshkallëzimi dhe ulja e tensioneve. Ka dy muaj që në veri nuk ka protesta dhe incidente. Kemi ulur dyfish praninë e Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Mezi pres që të kemi zgjedhje të parakohshme atje dhe shpresoj që do të kemi fushatë të ndershme dhe të hapur për zgjedhje të lira dhe demokratike. Neve na duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar. Por nga ana tjetër njerëzit e kuptojnë në Kosovë se ata që integrohen jetojnë më mirë. Integrimi është diçka që është përfituese për ta, por edhe ne si qeveri jemi aty për të siguruar të drejtat e barabarta për të gjithë”, tha Kurti.
Në anën tjetër, Kurti tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të njohin njëra-tjetrën.
“Çka konsiderohet e rëndësishme për rajonin tonë është që të mbyllet kjo pjesa e njohjeve të ndërsjella midis gjashtë vendeve tona. De-facto dhe de-juro kjo njohje është e ndarë në Ballkan, kemi njohje de-facto pa de-jure, ndërsa diku tjetër kemi de-jure pa de-facto. Kjo duhet të sqarohet dhe them se kjo është diçka që zgjidhet. Po ashtu mbrojtja e të drejtave të minoriteteve në të gjithë rajonin. Mendoj se në pak vite ne mund të bëhemi anëtarë të BE-së dhe shpresoj që BE-ja dorë më dorë me zgjerimin e jashtëm të BE-së të jetë konsolidimi i brendshëm dhe reforma”, deklaroi Kurti.
Kurse u shpreh optimist për lëvizje pozitive për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga pesë vendeve mosnjohëse të BE-së.
“Është e vërtet se pesë vende të BE-së nuk na njohin, Greqia, Sllovakia, Qipro, Romania dhe Spanja. Ne po punojmë me ta në mënyrë bilaterale nga pikëpamja diplomatike, por edhe në Bruksel. Atmosfera me të gjitha këto vende është më e mirë se më parë. Sigurisht ka disa hapa të vegjël që ne shpresojmë që sa më parë do të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe të jenë pjesë e vendeve evropiane që na njohin…Një mënyrë tjetër që ne përpiqemi që t’i bindim vendet që janë skeptike është përmes progresit ekonomik dhe demokratik në Kosovë, e cila është histori suksesi e dyfishtë. Ndërhyrjes të NATO-s të vitit 1999 për të ndalur gjenocidin e Jugosllavisë së Millosheviqit dhe një histori suksesi e demokracisë dhe ekonomisë që shkojnë dorë më dorë”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, akuzoi Kurtin se nuk po zbaton marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit.
“Normalizimi që është në interes si të Beogradit, edhe Prishtinës, dhe si të serbëve dhe shqiptarëve po ashtu është në interes të të gjithë rajonit, është në krye të prioriteteve tona. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit e nënshkruar në prill të vitit 2013”, tha ajo.