Kryeministri Albin Kurti tha se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se ka pasur gëzim nga ana e opozitës për arrestimin e kryeshefit ekzekutivit të KEK-ut.
“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit, dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, tha ai.
Kurti tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që sipas tij kanë gjetur aty.
“Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, tha Kurti.