Në ditën e parë të punës si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kabinetin qeveritar kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pas homazheve, Kurti u shpreh se bashkë me ministrat bënë homazhe tek vendi i flijimit e i bashkimit.
Kryeministri Kurti para mediave tha se tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, e që rënia heroike e tyre ngriti në këmbë popullin shqiptar dhe i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare.
Kurti tha se gjaku i të rënëve nuk humbet kurrë dhe se në Prekaz shkojnë për të kuptuar nga vijnë dhe për të ditur edhe më mirë se nga të shkojnë.
“Dje pranuam detyrën si qeveri e re e cila u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës të hënë mbrëma pasi që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit dhe sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat, ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit e bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare, e cila me 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal siç ishte Serbia e Millosheviçit”, tha ai.
Nuk është vënë në vend drejtësia për krimet e kryera nga Serbia, kështu tha Kurti derisa theksoi se gjaku e emri i tyre nuk harrohet kurrë.
“Ne i kujtojmë me shumë dhimbje e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin dhe gjithë 59 anëtarët e kësaj familje gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend ashtu sikurse edhe për shumë dëshmorë e martirë të tjerë ane mbanë Kosovës. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthehemi e rikthehemi këtu në Prekaz për ta kuptuar se nga vijmë dhe për ta ditur më mirë se kah duhet të shkojmë. Lavdi Jasharajve dhe gjithë dëshmorëve e martirëve”, u shpreh Kurti.