Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim virtual në Forumin Evropian Alpbach 2021, në Austri, ku ishte i ftuar të merrte pjesë fizikisht, por që e anuloi pjesëmarrjen shkaku i gjendjes së rënduar me pandeminë COVID-19.
Kryeministri Kurti shpalosi pikëpamjet e Kosovës në panelin me temën “Sticks and Carrots Still? Relationship Menagment for Western Balkans and the EU” (Ende shkop dhe karrotë? Menaxhimi i marrëdhënies ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian).
Pjesë e këtij paneli ishin përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nënkryetarja e Forumit Evropian Alpbach, Katarzyna Pisarska, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Alena Kudzko, drejtore e Institutit GLOBSEC.
Kryeministri Kurti zgjodhi ta hap fjalimin e tij, duke u përqendruar në rëndësinë e çështjes së personave të zhdukur, jo vetëm sepse sot është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, por sepse siç tha ai, ganjëherë ambicia jonë për të lëvizur drejt së ardhmes ngatërrohet me detyrën tonë për t’u marrë me të shkuarën.
“Dhe sidomos në ditë si këto, duhet t’ia kujtojmë vetes dhe aleatëve tanë se vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën mund të ecim siç duhet drejt së nesërmes. Nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.
Duke folur për temën e ngritur në panel, kryeministri Kurti tha se beson që BE-ja i ka fituar prej kohësh zemrat dhe mendjet e të gjitha vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo, siç tha ai, mund të shihet në garën midis vendeve të BP6 për të hyrë në BE, si dhe zhgënjimin me të cilin përballen kur nuk arrijnë të kalojnë në fazën e radhës në procesin e integrimit.
Për sa i përket kushtëzimit, kryeministri Kurti tha se BE-ja duhet të veprojë në mënyrë më etike dhe më të drejtë.
“Politika e shkopinjve dhe karotave nuk ka qenë shumë frytdhënëse për Kosovën pasi kemi marrë shumë shkopinj, por jo shumë karota. Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur të gjithë anëtarët e BP6 kanë marrë liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova është ende duke pritur, e izoluar si në një geto, imazh i cili sjell shumë turp në të dy palët”, tha ai.
Pamundësia për t’i hequr kufizimet e vizave për Kosovën dhe për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sipas kryeministrit, po shfaq gjithashtu nevojën për të reformuar jo vetëm politikën e zgjerimit, por edhe sistemin e vendimmarrjes së BE-së.
Kryeministri Kurti tha se BE-ja duhet t’i qartësojë 5 gjëra në raport me Ballkanin Perëndimor: ta krijojë një momentum të ri për reformat dhe ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe më të ndershëm, ta rrisë financimin, të marrë përgjegjësi për kontinentin tonë, të rrisë sinkronizimin midis Brukselit dhe Uashingtonit dhe ta përmbyllë ombrellën e sigurisë.