Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Autizmit deklaroi se shumëçka është bërë, por edhe më shumë duhet të bëhet për këta persona. Sipas tij, bashkëpunimi ndërsektorial është një parakusht i domosdoshëm që të sigurojmë zhvillim cilësor.
Në konferencën e organizuar nga Zyra për Qeverisjes të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatën “Autizmi”, Kurti përmendi se gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetje profesionale të fëmijëve dhe se do të shtohen edhe nga 100 tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit.
Ai tha se janë zotuar për përkrahje të organizatave të specializuar për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti dhe talente, për çka janë alokuar 200,000 euro. Me këtë rast, kryeministri tha se është shumë e rëndësishme përfshirja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, e veçanërisht nëse ata janë autikë.
“Një shoqëri e ndjeshme ndaj këtyre personave, është një shoqëri më e vërtetë në vetvete. Sepse sapo të dështojmë në kuptimin e vështirësisë dhe hallit të tyre, do të kemi rënie në terrenin, i cili është jo vetëm i izolimit, por edhe i ngacmimit, i paragjykimit dhe i stigmatizimit. Nga trajtimi që i bëjmë ne njëri-tjetrit është vetë shëndeti i shoqërisë në përgjithësi. Ushtrimi në të drejtat e njeriut është mënyra për ta bërë shoqërinë më të mirë. Personat me autizëm janë një shprehje më e drejtpërdrejtë e ngutisë sonë për të krijuar mekanizma të veprimit”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se ajo që synohet janë të drejta dhe barazi për të gjithë personat me autizëm në Kosovë duke iu siguruar më shumë qasje në shërbime.
Ai kërkoi mbështetjen e të gjithë sektorëve në mënyrë që të arrihet kjo.
“Na duhet gjithëpërfshirje me pjesëmarrje aktive, të nxënësve e të mësimdhënësve, të prindërve e të punonjësve. Trajtim e kujdes shtesë për fëmijët me autizëm do të thotë përkushtim, sepse asistenca do të thotë integrim. Për prindërit është sfidë përfshirja e nxënësve me autizëm në sistemin shkollor, megjithëse këtë e parasheh ligji. Kjo sepse është i nevojshëm asistimi i rregullt në orarin mësimor, prandaj gjatë gjithë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve. Do të shtohen edhe 100 asistentë të tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit”, vijoi Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, deklaroi se personat me autizëm kanë të drejtë që të gëzojnë shërbimet sikurse të gjithë të tjerët pa diskriminim, ndërsa përmendi edhe mundësitë e krijimit të një qendre për këta persona.
“Sot në Ditën Botërore të Autzimit rikonfirmojmë zotimin, që kjo kategori ka të drejte t’i gëzojë standardet më të larta të mundshme shoqërore dhe edukative pa diskriminim, duke ju siguruar e garantuar shërbime, përfshirë identifikimin e ardhshëm meqenëse simptomat e autizmit fillojnë shumë herët. Do të mundësojmë ndërhyrjen qoftë me diagnostifikim të hershëm, qoftë me kuptimet dhe intervenimet terapeutike… Përveç sigurimit të hapësirave dhe mundësive për ta bërë këtë, qoftë përmes hapësirave në institucionet aktuale shëndetësore apo krijimit të ndonjë qendre për ta”, tha ai.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që deklaroi se janë të vetëdijshëm për kërkesat që kanë familjarët dhe shoqatat që kujdesen për personat me autizëm prandaj edhe janë angazhuar në rregullimin e infrastrukturës ligjore.
Përfaqësues të familjeve dhe shoqatave shprehën shqetësimet dhe vështirësitë e tyre të përditshme që kanë në kujdesin ndaj fëmijëve me autizëm. Në këtë konferencë u tha se në muajin shkurt 324 fëmijë me autizëm kanë përfituar nga 100 euro siç e parasheh ligji përkatës për personat me aftësi të kufizuar./