UBT News

​Kurti në 23-vjetorin e masakrës së Rezallës: Gjenocidi serb njihet botërisht, përgjegjësit të gjykohen e të dënohen

Në 23-vjetorin e masakrës së Rezallës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe tek kompleksi memorial te varrezave në Rezallë të Skenderajt.

Kryeministri Kurti ka kujtuar të rënët e kësaj masakre, duke thënë se nuk ka asnjë dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet botërisht dhe se për këtë drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet të veprojnë me ngulmë në mënyrë që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të gjykohen e dënohen.

“Vendosëm lule të freskëta këtu te lapidari dhe varrezat e këtyre martirëve të kombit të cilët u pushkatuan mizorisht vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në trojet e tyre stërgjyshore. 98 burra dhe djem u grumbulluan e u ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm tre që kanë shpëtuar, kjo u ka ndodhur rastësisht. Qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë andaj kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë[…]me ekzekutim mizor e barbarë ua vodhën jetën e pastaj ua vodhën edhe kufomat. Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht përveçse nga ne shqiptarët që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojmë në mënyrë që përgjegjësit dhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët të gjykohen e të dënohen”, tha Kurti.

Kurti bashkë me komandantin e Forcës së Sigurisë së Koosvës (FSK) gjenerallejtënant, Bashkim Jasharin dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë vendosur kurora lulesh tek kompleksi.

Sot mbushen 23 vjet nga masakra në Rezallë të Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.

Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

Nga masakra në Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

Exit mobile version