Kryeministri Albin Kurti në konferencën nacionale në shënim të Ditës Botërore të Punës Sociale, deklaroi se Qeveria mbetet e përkushtuar në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore. Ai bëri të ditur se qeveria ka filluar procesin e reformimit të skemës së asistencës sociale, e cila ka për qëllim eliminimin e kritereve diskriminuese për përfitim nga skema, dhe rritjen e mbulueshmërisë përmes implementimit të testit të ri të varfërisë.
“Në kuadër të Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal, do të prezantohet granti specifik për shërbimet sociale, me qëllim të sigurimit të financimit të qëndrueshëm të shërbimeve. Këtë vit qeveria do të fillojë edhe me reformën pensionale, e cila synon zhvillimin e një pensioni gjithëpërfshirës dhe financiarisht të qëndrueshëm”, tha Kurti.
Kurti tha se tashmë janë ndërmarrë një sërë masash, duke filluar nga rritja e shumës së asistencës sociale, rritja e pensioneve e fillimi i zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, ku si rezultat kanë përfituar rreth 26 mijë familje në asistencë sociale, mbi 300 mijë pensionistë, 12 mijë lehona dhe mbi 140 mijë fëmijë.
“Në kuadër të Qendrave për Punë Sociale, ka vazhduar ofrimi i shërbimeve, si mbrojtja dhe trajtimi i viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit, fëmijëve me nevoja të veçanta, këshillimi psiko-social, vetëdijesues e edukativ për fëmijë, si dhe strehimi i fëmijëve të keqtrajtuar, viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit. Janë ofruar rreth 12 mijë shërbime sociale nga Qendrat për Punë Sociale, ndërsa nga Ministria e Financave janë licencuar rreth 48 organizata joqeveritare për ofrimin e këtyre shërbimeve”, tha Kurti.
Konferenca “E tashmja dhe e ardhmja e Punës Sociale në Kosovë”, u organizua me rastin e Ditës Botërore të Punës Sociale, nga Lidhja e Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.