Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se fuqizimi i grave në biznes ndikon zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi.
Kurti këto komente i bëri në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, e cila iu dedikua grave në Inovacion dhe Kreativitet dhe është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ai u shpreh se gratë kanë dëshmuar që janë protagoniste, si ndërmarrëse e si punëtore e sot janë shumë aktive, prandaj janë të obliguar t’i mbështesin ato.
Kurti po ashtu u shpreh se mundësia në financa për gratë nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi.
“Ne detyrohemi dhe obligohemi t’i përkrahim ato, që janë në fillim të nismave të tyre, ato që janë në mes të një vështirësie biznesore, dhe t’i nxisim ato që kanë dëshirën e vullnetin. Qasja në financa, qofshin ato edhe të ulëta, është përcaktuese për pronën apo rritjen e biznesit, por edhe vetë përvojat e aftësitë e deri tek rezultatet finale. Ne duhet të sigurohemi për një fillim sa më të barabartë, sepse edhe rrugëtimi para këtij fillimi në shumicën e rasteve nuk ka qenë i barabartë. Shumica e tyre kanë pasur më shumë sfida gjatë përvojave jetësore e të karrierës e ne si qeveri jemi të vëmendshëm për këto dallime që në fëmijëri dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundshme…Ato që kanë zgjedhur rrugën e të bërit biznes, kanë zgjedhur guximin dhe ne duhet t’i përkrahim. Andaj, investimi në këtë drejtim është i domosdoshëm. Qasja në mjetet financiare për gratë që e duan punën, është edhe interes afatgjatë i ekonomisë së vendit tonë. Mundësimi në financa për to, nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi”, u shpreh Kurti.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se përfshirja e grave në studimet shkencore, por edhe si ndërmarrëse të suksesshme po lënë gjurmë në ekonominë vendore. Ajo tha se kjo armatë punëtoresh po përkrahet me politika të shëndosha edhe nga Qeveria e Kosovës.
“Kohëve të fundit gratë e Kosovës po përzgjedhin drejtimet e studimit në shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë ku çdo ditë e më tepër ky numër po rritet. Gjithashtu, edhe si ndërmarrëse të suksesshme me kreativitetin dhe idetë inovatore ato po krijojnë po krijojnë dhe po lënë gjurmë të dukshme në ekonominë e Kosovës dhe duhet të themi edhe me një dozë krenarie meritore se këtë armatë punëtore qeveria e Kosovës dhe MINT e ka mbështetur dhe po vijon ta mbështes me politika të shëndosha e normativa ligjore e programe e skema përkrahëse financiare…Sot teksa shënojmë këtë ditë të rëndësishme për pronësi intelektual dhe inovacionin si faktor me ndikim të lartë për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë duhet theksuar se me globalizmin e ekonomisë dhe krijimin e lidhjeve të shpejta të transportit dhe teknologjisë së inovacioneve ku tregu është shumë konkurrues dhe ndryshon me shpejtësi është vendimtare të bëhemi bashkë për të nxitur kreativitetin dhe inovacionin te ndërmarrësitë tanë”, tha ajo.
Teksa ka listuar shumë nisma ligjore që kanë ndërmarrë si MINT, ministrja Hajdari theksoi se më 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshje e pjesëmarrjes në programin tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian me vlerë 4.2 miliardë euro.
“Çka është me rëndësi të ndaj me ju një lajm të mirë është se kemi filluar negociatat dhe përmbyllur për marrëveshjen e pjesëmarrjes në programin tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian me gjithsej vlerë 4.2 miliardë euro ku shumë biznese tona të vogla e të mesme mund të aplikojnë për thirrje për përfitime si një mundësi të shkëlqyeshme që bizneset e inovatorëve mund të jenë përfitues për përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet më 11 maj në Bruksel”, theksoi ajo.
Ndërsa, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani u shpreh se gratë janë shtyllë nxitëse e inovacionit dhe kreativiteti dhe këtë e kanë dëshmuar pavarësisht sfidave.
“Gratë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në fushat të ndryshme të pronësisë intelektuale përkundër sfidave dhe vështirësive që ky sektor ka hasur ndër vite. Sot po nderojmë punën e rëndësishme të grave të profileve të ndryshme përfshirë këtu shkrimtare, regjisore, film-bërëse e sipërmarrëse që janë shtyllë nxitëse e inovacionit dhe kreativitetit…. Kemi përfunduar një proces shumë të rëndësishëm të reformimit të kornizës ligjore dhe rregullative në fushën e të drejtave të autorit për shkak të trendëve të reja dhe dinamikës që ndodh në sferën legjislative evropiane përkitazi me të drejtën e autorit…Projektligji për të drejtat e autorit është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe shumë shpejt pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës”, theksoi ajo.