Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se xhudistja Majlinda Kelmendi është simbol i suksesit në vendin tonw.
Sot, përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Majlinda është simbol i suksesit dhe se qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia e saj ndaj suksesi, janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, dje ishim pjesëmarrës në aktivitetin demonstrues të kampiones tonë Olimpike, Majlinda Kelmendi.
Në palestrën e qytetit të Mitrovicës “Minatori” e cila ishte mbushur përplotë me nxënës entuziast për të takuar Majlindën, ajo së bashku me xhudistë të tjerë demonstruan teknika profesionale të sportit të xhudos.
Majlinda Kelmendi është simbol i suksesit në Republikën e Kosovës.
Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia e saj ndaj suksesit – janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.
Përmes programit të xhudos, përveç që po sigurojmë zhvillimin e sportit në vend, njëkohësisht po krijojmë mundësi për të rinjtë tanë që të shprehin talentin e tyre, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm si dhe të jenë të suksesshëm.
Uroj që shumë të tjerë të ndjekin rrugën e suksesit të Majlindës, Norës dhe Distrias.
Kosova është shtet i xhudos!
Ndryshe, i pari i ekzekutivit ishte dje i pranishëm në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, aty ku Majlinda Kelmendi ishte figura kryesore e demonstrimit të këtij sporti në kuadër të programit “Kosova shtet i xhudos”.