Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se agresioni rus në Ukrainë dhe lufta po dikton rritjen e çmimeve të karburanteve. Mirëpo tha se kjo është kosto e lirisë dhe demokracisë.
Para mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se çmimet nuk i përcaktojnë dot, mirëpo do të analizojnë secilin për manipulimet e mundshme. Ai paralajmëroi se pasditen e sotme do të marrin një vendim në favor të bujqve të Kosovës.
As këtë herë, Kurti nuk kurseu kritikat ndaj ish qeveritarëve të kaluar.
“Kur vitin e kaluar ishte kriza energjetike që ngriti çmimet e produkteve elementare, këtë vit lufta në Ukrainë dhe përballja e perëndimit ndaj Rusisë po dikton rritjen e çmimit të naftës. Por kjo është kosto e lirisë dhe demokracisë. Për fatin tonë të keq kemi vartësi nga importet për shkak se prodhimi vendor nuk është trajtuar me prioritet nga ish qeveritarët”, tha ai.