Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe pranimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, konfirmojnë se vendi është në rrugën evropiane dhe se Kosova i përket Evropës.
Kurti në fjalën hyrëse në mbledhje të qeverisë së Kosovës tha se qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të udhëtojnë në 32 vende të tjera përfshirë edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron.
“Javën që lamë pas dhe këtë javë çdo qytetar është ndier më evropian dhe më afër Evropës. Liberalizimi i vizave kishte ngecur për 4 vite në agjendën e Këshillit të BE me shumë punë dhe angazhim veçanërisht me vendet hezituese vitin e kaluar arritëm që gjatë presidencës çeke të zhbllokojmë këtë proces…..Nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës më në fund do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende të tjera evropiane përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk janë pjesë e Zonës Schengen. Pasaporta do të jetë mëe fuqishme ashtu siç shteti jonë po bëhet përherë e më i fortë”, tha ai.
Duke folur për pranimin e aplikimit në Këshillin e Evropës, i cili ndodhi këtë të hënë (24 prill), shefi i ekzekutivit kosovar shprehu besimin që si shtet demokratik Kosova do të jap kontribut të çmuar në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në KiE.
“Ne besojmë thellësisht që si shtet i ri demokratik dhe paqedashës do të japim kontributin e çmueshëm në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në Këshillin e Evropës dhe natyrisht që rezultatet gjithnjë e më të mira sa i përket tri vlerave fundamentale të Këshillit të Evropës sa i përket sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut kanë ndikuar në këtë arritje të madhe. Këto dy vendime të rëndësishme brenda më pak se 1 jave konfirmojnë rrugën tonë evropiane, konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë se Kosova i përket Evropës si union, si vlerë”, theksoi ai.
Gjatë mbledhjes së sotme, kryeministri Kurti tha se do ta shqyrtojnë edhe projektligjin ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Sipas tij, çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.
“Sot do të shqyrtojmë edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, kjo iniciativë e aprovuar në parim vite më parë sot po konkretizohet dhe po merr drejtimin e duhur. Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare e cila do të vazhdoj të adresohet edhe më tutje si çështje e natyrës urgjente. Miratimi i këtij projektligjit sot është i një simbolike të veçantë dhe gjithashtu i një rëndësie të madhe jo vetëm se jemi në prag të 27 prillit Dita e Personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por është edhe në vazhdën iniciativave të konkretizuara së fundmi si në procesin e liberalizmit të vizave ashtu edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha ai.