Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas dërgimit të ish-policit serb Dejan Pantiq në arrest shtëpiak, për çka ka thënë se është kureshtar të di se cilët janë prokurori dhe gjyqtari për një gjë të tillë.
Kurti në një konferencë për media ka shprehur habinë e tij se si një i paraburgosur për terrorizëm dërgohet arrest shtëpiak.
“Ajo çfarë kam dëgjuar është se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. A është e arsyeshme, e vendos gjyqësori. Pra, është gjykatësi i procedurës paraprake në rastin e kërkesës përkatëse të prokurorit, mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, tha ai.
Duke komentuar kërkesën e KFOR-it për kohë shtesë për keqjen e barrikadave, kreu i ekzekutivit ka thënë se është optimist.
Derisa tha se kanë parë vëmendje dhe angazhim të KFOR-it në veri, Kurti përsëriti se megjithatë institucionet e Kosovës kanë kapacitetet e nevojshme për largim të barrikadave.
“Javën e kaluar na është kërkuar nga KFOR-i që të japim më shumë kohë për heqjen e tyreve (barrikadave), dhe jam optimist për këtë. Kemi parë vëmendje dhe angazhim të KFOR-it, por në të njëjtën kohë e ritheksoj që Qeveria e Kosovës, MPB dhe Policia e Kosovës i kanë kapacitetet për t’i hequr ato, që nuk janë civile dhe prapa të cilave qëndrojnë njerëz të uniformuar dhe të armatosur e që janë problem më i madh se vet barrikadat. Sepse barrikada të tilla janë vënë nga ata të cilët janë eksponentë të krimit të organizuar dhe që në të njëjtën kohë e kanë mbështetjen politike nga Beogradi por edhe financimin prej andej”, tha ai.
Kujtojmë se që nga 10 dhjetori, serbët lokal të ndihmuar nga grupet ekstremiste me mbështetjen e Beogradit kanë vendosur disa barrikada në veri të Kosovës.
Vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.