UBT News

​Kurti kritikon opozitën: S’mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Kushtetuese

Përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave e quan kryeministri Albin Kurti kontestimin e disa ligjeve në Kushtetuese. Sipas tij, nuk mbahet mend që ka pasur më shumë ligje të cilat janë dërguar për interpretim nga opozita parlamentare. Shefi i ekzekutivit në mbledhjen e qeverisë ka theksuar se krejt kjo është kundërshtim i nevojës shoqërore dhe vullnetit demokratik të 14 shkurtit.

Kurti teksa ka folur për rëndësinë e themelimit të strukturave për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit tha se gjatë mandatit të tij kanë treguar vullnetin për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Në gati këto dy vite të qeverisjes kemi dëshmuar bindshëm dhe në vazhdimësi vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe për reforma në drejtësi dhe në administratën publike. Edhe përmes veprimeve tona të përditshme edhe përmes vlerësimeve vjetore të raporteve ndërkombëtare, sikurse ai i indeksit të ‘Transparancy International’. Sipas vullnetit dhe guximit për të zbatuar ligjet në fuqi, kemi miratuar këtu edhe ligje të tjera që do të jetësonin reformat e programit qeverisës dhe ndryshimet për të cilat qytetarët tanë votuan masivisht dy vite më parë”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial, për Zyrtarët publikë dhe për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, për çka tha se janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Jo për rastësi, të tre këto ligje bashkë me Ligjin për Masat e Përkohshme Mbrojtëse të Furnizimit me Produkte themelore për qytetarët, nëpërmjet të cilës bëhej parandalimi i abuzimit me rritjen e çmimeve të produkteve bazë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita parlamentare. Madje, Ligji për Këshillin Prokurorial ka më shumë se gjashtë muaj që është në trajtim. Në historinë 15-vjecare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave. Njëkohësisht është kundërshtim i hapur i nevojës shoqërore, i kërkesës qytetare dhe vullnetit demokratik të 14 shkurtit 2021”, ka deklaruar Kurti. 

Exit mobile version