UBT News

​Kurti: Kosova i di pasojat e luftës, mbështesim Ukrainën deri në fitore

Në njëvjetorin e invazionit rus në Ukrainë është organizuar ceremonia e pritjes dhe dorëzimit te letrave të falënderimit për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në njëvjetorin e fillimit të kësaj lufte, dhimbja është e madhe për jetët e humbura.

“Populli ukrainas ka qëndruar i palëkundur me vendosmërinë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë Osmani.

“Ne kemi hapur zemrat dhe dyert duke mbështetur gazetarë nga Ukraina sepse ua njohim dhimbjen. Si asnjëherë më parë bota po përballet me tendenca hegjemoniste te autokratëve. Ne duhet të jemi unik dhe të vendosur kundër çdo përpjekje për t’i minuar vlerat dhe parimet evropiane”, ka thënë ajo.

“Sot bota demokratike është në anën e Ukrainës sepse e drejta është në anën e saj. Të dashur ukrainas qëndroni të fortë dhe të guximshëm përballë vështirësive sepse ashtu siç u dëshmua në Kosovë më 1999 një popull liridashës me miq në krah del gjithmonë triumfues”, ka thënë Osmani.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka thënë se Kosova do të qëndrojë deri në fund me popullit të Ukrainës.

“Mendoj që sa keni bërë ju 12 gazetarët që jeni të pranishëm në Republikën e Kosovës për shkak të raportimeve tuaja për shkak të rrëfimit tuaj për Kosovën mendoj që janë kompensuar dekada të tëra të mungesës së afërsisë së popujve tanë. Ju i keni shkrirë këta akuj duke e bërë më të mirën që populli juaj që është atje që po lufton e po vuan e sakrifikon të dijë të vërtetën e cila e vërtetë na bashkon, e kjo e vërtetë është rruga nëpër të cilën kemi kaluar. Qytetarët e Kosovës para 24 vitesh ishin në këpucët tuaja. Ne u përballëm me një regjim gjenocidal i cili kurrë nuk u distancua nga këto krime të luftës dhe akte të gjenocdit që i bëri mbi popullin tonë te pafajshëm”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosovë mbështet Ukrainën deri në fitore.

“Në një ditë të zymtë si kjo megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Do të jemi pranë jush si popull si institucione, si dje si sot si nesër. Mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Exit mobile version