UBT News

​Kurti: Komunat të shfrytëzojnë buxhetin në mënyrë transparente dhe të rrisin cilësinë e shërbimeve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni dhe ka shtuar bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare. Sipas Kurtit, vitin që shkoi është shënuar përmirësim i dukshëm i imazhit të Kosovës.

Ai ka folur në hapjen e takimit me kryetarët e komunave, prej të cilëve kërkoi që buxhetin të shfrytëzojnë në mënyrë transparente.

“Këtë vit Kosova u ngrit për 17 vende në Transparency International për luftën kundër korrupsionit pra në vitin të cilin e lamë pas kemi përmirësuar dukshëm imazhin e vendit tonë dhe e kemi përmbyllur vitin me aplikimin zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni si dhe në këtë mënyrë ta shtojë bashkëpunimin me organizatat e organizmat ndërkombëtarë”, tha Kurti.

Para kryetarëve të komunave, shefi i ekzekutivit ka thënë se për nivelin komunal ka rritje të buxhetit prej 100 milionë euro krahasuar me vitin paraprak duke shtuar se kjo duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve.

“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2023 do të jetë mbi 3.2 miliardë euro dhe është buxheti më i lartë ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak, kjo duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë dhe kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik. Gjithashtu duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se qeveria dhe niveli komunal duhet të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe të zhvillojnë ekonominë e komunave përmes ekzekutimit të mirëfilltë të buxhetit 2023.

Ai ka shtuar se qeveria synon të ketë afër qytetarëve edhe duke qenë afër komunave për çka ka theksuar se nevojitet intensifikim i bashkëpunimit mes institucioneve.

Exit mobile version