UBT News

​Kurti komenton rezultatin e zgjedhjeve lokale: Ka pasur defekte strukturore dhe organizative në LVV

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sërish ka arsyetuar humbjen e qyteteve kryesore në zgjedhjet lokale 2021.

Në një konferencë për medie, nga zyra e shefit të qeverisë, Kurti tha se mbrëmë ka takuar 12 kandidatët e LVV-së që ishin në balotazh dhe ka marrë shënime për vërejtjet e tyre.

Lideri i partisë në pushtet, tha se humbja e komunës së Prishtinës, Prizrenit dhe disa qyteteve të tjera kanë të bëjnë me defektet strukture dh organizative në parti.

“Mbrëmë i kam takuar 12 kandidatët që ishin në balotazh nga LVV-ja dhe ata që fituan dhe nuk fituan. Mbajtja shënime për të gjitha vërejtjen e tyre, çka ka mundur të jetë më mirë dhe më ndryshe. Shtabi ynë zgjedhore është duke përgatitur një raport për fushatën dhe rezultatin të cilin do ta diskutojmë në Kryesi të LVV-së ditët në vijim. Nuk isha nxituar me konstatime pa e parë këtë raport dhe ta bëjmë diskutimin për të. Ajo çka ishte e qartë se në subjektin politik që është rritur tej mase në 3-4 vjetët e fundit ka defekte strukturore dhe organizative. Nuk kemi struktura që i përgjigjen madhësisë dhe zgjedhjet fundit të brendshme i kemi mbajtur në janar të vitit 2018”, tha ai.

Krahas kësaj, Kurti tha se ka ekzistuar një koordinim, sinkronizim dhe bashkim i gjitha partive të tjera kundër LVV-së.

“Në anën tjetër ka ekzistuar një koordinim, sinkronizim dhe bashkim i të gjithë të tjerëve kundër LVV-së si asnjëherë më parë. Në këtë rrafsh nuk e kanë pasur shumë me kandidatët, por me qeverisjen qendrore dhe sukseset e saj”, shtoi Kurti.

Vetëvendosje ka fituar vetëm katër komuna në zgjedhjet lokale.

Exit mobile version