Rasti “Kumanova” është diskutuar edhe në takimin që pati kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Kurti teksa shprehu shqetësimin e familjarëve të grupit “Kumanova” kërkoi edhe informata lidhur me ecurinë e procesit që tani është në Gjykatën Supreme.
Nga zyra e kryeministrit Kurti kanë bërë të ditur edhe se në këtë takim temë diskutimi ishin raportet e mira ndërshtetërore mes dy vendeve dhe avancimi i mëtejmë i tyre dhe fqinjësisë së mirë.
Kurti është shprehur se ekziston vullneti i qartë politik nga ana e Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar edhe më tej raportet dy palëshe. Ai theksoi interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të koordinuar politikat në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik dhe në linjë me raportet e shkëlqyeshme tregtare.
Presidenti Pendarovski thuhet ta ketë përgëzuar kryeministrin Kurti për reformat e filluara dhe progresin demokratik të Kosovës. Ai u shpreh i brengosur për rritjen e tendencave autoritare në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit. BE-ja do të duhej të shpërblente reformat demokratike, theksoi presidenti Pendarovski.
Kryeministri ngriti shqetësimin për militarizimin e Serbisë, që siç tha ai, paraqet kërcënim për rajonin dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.
“U theksua se të dy vendet mbeten të përkushtuara në synimet e përbashkëta euroatlantike dhe në parandalimin e ndikimit të akterëve të jashtëm destabilizues për rajonin, në radhë të parë nga ndikimi malinj i Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor dhe gjetiu në kontinentin evropian dhe ndikimi ekonomik dhe tregtar i Republikës Popullore të Kinës, i cili ka për qëllim krijimin e varësisë financiare e përmes saj ndikimin në vendimmarrjen politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.
U bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinim të dy shteteve me ShBA-në, BE-në dhe aleatët e tjerë për të pamundësuar një ndikim të tillë.
Raportet ndërshtetërore janë avancuar dukshëm, gjë që e dëshmon edhe mbledhja e dy qeverive, e mbajtur më 16 shtator në Shkup, ku u nënshkruan 11 marrëveshje të reja duke çuar në 50 numrin e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.