UBT News

​Kurti: Kemi stabilizuar furnizimin me energji dhe reduktimet pothuajse janë hequr

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se po bëjnë krejt çka munden në përballimin e krizës energjetike dhe se kanë arritur të stabilizojnë furnizimin me energji elektrike. Ndërkohë që ka shtuar se reduktimet pothuajse janë hequr.

Kreu i ekzekutivit ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se çmimet e larta të importit janë si pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërsa dobësimi kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.

“Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”, ka thënë ai.

Kurti ka ritheksuar se Kosova është në krizë energjetike dhe se deri sa të riparohet blloku B2, termoelektranat gjenerojnë më pak se 650 MW.

“Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MWh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1.4 GW, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MW) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MW!”, ka thënë ai.

Sipas tij, në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë.

“Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe. Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro. Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni”, përfundon ai. 

Exit mobile version