UBT News

​Kurti: Kemi filluar përgatitjet për aplikim në organizata ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në seancën e sotme të Kuvendit, kreu qeveritar tha para deputetëve se kanë përafruar raportet me një numër të konsiderueshëm të vendeve që se kanë njohur Kosovën.

“Kemi filluar përgatitjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, tashmë e kemi bërë të ditur se sivjet do të aplikojmë për anëtarësim në BE, secili qytetarë i Kosovës duhet të ketë të drejtën të ankohet në instanca gjyqësore më të larta ndërkombëtare, prandaj bëhet e natyrshme që të aplikojmë edhe në Këshill të Evropës. Të qenit anëtarë në këtë organizatë të rëndësishme është nevojë dhe e drejtë për qytetarët tanë. Për këtë proces MPJD-së është në fazë të përparuar të përgatitjes. Siguria është tema kyçe e shtetit tonë, për këtë arsye përafrimi sa më i shpejtë me NATO-në është një detyrë e rëndësishme e jona”, tha ai.

Ndërkohë, shtoi se fushata për ç’njohje të Serbisë s’ka pasur sukses.

“Zbatimi i strategjisë e ka pamundësuar suksesin e të ashtuquajturës fushatë të ç’njohjes së Serbisë e cila nga 4 shtatori 2020 deri më 4 shtator 2021 ka bërë fushatë në mbi 30 shtete dhe nga 5 shtatori 2021 deri më sot ka bërë fushatë në rreth 20 shtete por pa sukses. Përkundrazi Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me vendet të reja, siç ishte rasti me Timorin Lindor, por gjithashtu kemi përafruar raportet me një numër të konsiderueshëm të vendeve që nuk na kanë njohur”, shtoi ai.

Sa i përket dialogut, Kurti tha se kanë kthyer në një proces transparent.

“E kthyem dialogun nga takimet e fshehta për ndarje territoriale të Kosovës dhe përfshirjen e Serbisë si hisedarë në burimet tona natyrore në një proces transparent që ka njohjen reciproke në qendër të saj. Qëndrime ynë parimor në këtë proces ka bërë që edhe vet zyrtarët e BE-së të thonë publikisht dhe për herë të parë që dialogu nuk ka të bëjë për statusin e Kosovës, por me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Kurti.

Exit mobile version